Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti ambasadorin e ri të Brazilit në Shqipëri, Fabio Vaz Pitaluga, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale. Gjatë takimit, Begaj i uroi ambasadorit një mandat të suksesshëm, ndërsa përcolli edhe urimet për rizgjedhjen e presidentit brazilian, Luiz Inácio Lula da Silva.
Kreu i Shtetit vlerësoi marrëdhëniet miqësore mes Shqipërisë dhe Brazilit, në një vit kur shënohet 65-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Ai shprehu besimin se dialogu politik mes dy vendeve do të intensifikohet dhe se do të forcohet bashkëpunimi në fushat ekonomike, tregtare dhe kulturore.
Begaj vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin në organizatat ndërkombëtare, veçanërisht gjatë mandateve të njëkohshme të Shqipërisë dhe Brazilit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në vitet 2022-2023.
Gjatë bisedës, Presidenti Begaj inkurajoi Brazilin të njohë Republikën e Kosovës dhe të shqyrtojë mundësinë e mbështetjes së saj për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
