Një gjyqtare e Gjykatës Themelore në Gjilan, dega në Viti, Qëndresa Sejdiu është sulmuar fizikisht pasditen e 4 nëntorit 2026, në fshatin Sadovinë e Jerlive, në Komunën e Vitisë.

Lidhur me rastin ka reaguar Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), i cili ka dënuar ashpër sulmin ndaj gjyqtares, duke e cilësuar një veprim të papranueshëm dhe të patolerueshëm.


Në reagimin e KGJK-së thuhet se sulmet ndaj gjyqtarëve përbëjnë sulm ndaj sistemit të drejtësisë dhe vetë sundimit të ligjit.

“KGJK mbështet fuqishëm gjyqtarët në përmbushjen e detyrave të tyre në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe profesionale, në shërbim të drejtësisë dhe interesit publik”, thuhet në reagim.

Po ashtu, Këshilli Gjyqësor u ka bërë thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për hetimin e menjëhershëm të rastit, si dhe të garantojnë mbrojtjen dhe sigurinë e gjyqtarëve, në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe ligjore.

Ndërkaq, sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar”.

“Viti / 04.11.2026 - 14:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti dyshohet se kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente. /Telegrafi/