Bordi i Transparencës ka vendosur këtë të enjte të ulë çmimin e naftës me 6 lekë, duke e zbritur në 210 lekë për litër. Ndërkohë, benzina ka pësuar ulje sërish. Në këtë vendim të radhës ka zbritur me 3 lekë, duke e cuar në 169 lekë litrin, nga 172 lekë për litër që ishte në fuqi deri më tani. Në tregtimin me shumicë nafta do të shitet jo më shumë se 198 lekë për litër, ndërsa benzina jo më shumë se 157 lekë për litër. Çmimet e reja hyjnë në fuqi këtë të enjte, në orën 13:45, dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të rishikohen në varësi të lëvizjeve të çmimeve në treg. Bordi i Transparencës u ka tërhequr vëmendjen operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë për detyrimin e zbatimit të vendimit, duke paralajmëruar se në rast konstatimi të shkeljeve do të vendoset pezullimi i aktivitetit. Cmimi I karburantëve ra në bursën ndërkombëtare pas fitores së demokratëve në SHBA. Vendimi është marrë në kuadër të masave të ndërmarra pas shpalljes së situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve.