Kryeministri Edi Rama ka përsëritur thirrjen për dialog me studentët dhe protestuesit, duke njoftuar se nesër do të hapet një tjetër mundësi komunikimi përmes një platforme online.
Rama u shpreh se tre grupe studentësh janë penguar, përmes presionit online dhe offline, që të mos zhvillonin një takim me të, pa kamera dhe pa njoftime për mediat, por vetëm për të diskutuar.
“Nesër do të ndezim një tjetër dritare në ekranet e kujtdo që është i interesuar, një dritare dialogu për ata që duhet të ndërveprojnë me mua dhe qeverinë. Tre grupe studentësh janë kthyer mbrapsht me dhunë, online dhe offline, nga këta lloj pseudoshësh, në përpjekjet e tyre për të ardhur në takim me mua pa kamera, foto dhe njoftim për shtyp, thjesht për të biseduar. Janë dekurajuar, dreqi e merr vesh se si, dhe më pas janë bullizuar në ekstrem.
Një gjë dua të jetë e qartë për të gjithë: vij nga një rrugë ku kam qenë student dhe pedagog dhe, bashkë me studentët, kam dalë kundër një regjimi real dhe jo imagjinar, vetëm për një arsye: që të them i lirë atë që dua dhe ku të dua.
Kush mendon se me kërcënime dhe dhunë do të ketë ndikimin më të vogël mbi mua dhe qeverinë, i ka bërë të gjitha llogaritë gabim. Përkundrazi, do të marrin përgjigje, siç po marrin, penalisht dhe administrativisht”, tha Rama gjatë fjalës së tij në konferencën e sotme.