Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas publikimit të progres-raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, duke e cilësuar atë si një dokument të paprecedentë për shkak të kritikave ndaj qeverisjes dhe funksionimit të institucioneve në vend.
Në një deklaratë për mediat, Berisha pretendoi se raporti evidenton përqendrimin e pushteteve, problematikat në proceset zgjedhore dhe dobësimin e kontrollit parlamentar. Ai e krahasoi gjendjen e demokracisë në Shqipëri me atë në Malin e Zi, duke deklaruar se vendi ynë është një “diktaturë autoritare”.
Sipas kreut të PD-së, Komisioni Evropian i kërkon Shqipërisë të ndërmarrë 115 ndryshime gjatë vitit të ardhshëm. Ndër çështjet që ai veçoi janë reforma zgjedhore, rikthimi i kontrollit parlamentar mbi qeverinë dhe buxhetin, heqja e përjashtimeve nga procedurat e prokurimit publik dhe ndalimi i dëmtimit të zonave të mbrojtura.
Berisha ia atribuoi kryeministrit Edi Rama përgjegjësinë për problematikat që, sipas tij, pasqyrohen në raport. Ai e akuzoi kreun e qeverisë për ndërhyrje në proceset zgjedhore, përqendrim të pushteteve dhe përdorim të burimeve publike gjatë fushatave elektorale.
Gjatë deklaratës, kreu i opozitës përsëriti edhe akuzat për shpërndarjen e 100 eurove për pensionistët gjatë fushatës zgjedhore dhe faljen e 2.1 miliardë eurove gjoba e kamatëvonesa dy ditë para zgjedhjeve. Ai pretendoi gjithashtu se persona të lidhur me krimin janë përfshirë në Kuvend dhe se janë dhënë 138 licenca për kultivimin e kanabisit në një sipërfaqe prej 29 mijë hektarësh.
Berisha e cilësoi raportin si një dokument me rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe institucionet e saj, ndërsa akuzoi Ramën se ka cenuar parimin e barazisë në garën zgjedhore.
“Ky është raport i paprecedent në historinë e raporteve midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Cili të dojë të krahasojë këtë raport me raportin e funksionimit të demokracisë, shtetit ligjor të Malit të Zi, do të gjejë se Shqipëria, krahasuar me Malin e Zi, është një diktaturë autoritare”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se përgjegjësia për problematikat e përmendura nga ai i takon kryeministrit, duke e akuzuar për ndërhyrje në zgjedhje dhe përqendrim të pushtetit.
“Është ai, i cili që nga viti 2020 gjer sot, ka marrë në duart e tij të zeza mbi 90 për qind të pushteteve në vend. Është ai, i cili për të blerë votat, shpërndau në kulmin e fushatës elektorale 100 euro për çdo pensionist”, u shpreh kreu i PD-së.
Në përfundim, Berisha kritikoi edhe deklaratat e mëparshme të Ramës për progres-raportin, duke iu referuar vlerësimit të kryeministrit se dokumenti ishte ndër më të mirët e publikuar nga Brukseli.