Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat komentoi raportin vjetor të KE-së për vendin tonë.
“Jam sot këtu për të paraqitur para shqiptarëve raportin më të rëndësishëm kombëtar vjetor për Shqipërinë, për shoqërinë shqiptare dhe institucionet e këtij vendi.
Së pari, kjo ma thjeshtoi shumë paraqitjen para jush. E shkurtova, sepse ajo që shqiptarët lexuan në fytyrën e Edi Ramës flet më shumë se vetë raporti i Komisionit. Flet për shkallën e lartë të kryqëzimit të tij.
Nga alfa te omega, Padrinoja i Shqipërisë rezulton përgjegjësi kryesor për të gjitha konstatimet e rënda të Komisionit Evropian për Shqipërinë këtë vit. Ky është një raport i paprecedent në historinë e raporteve midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Kushdo që dëshiron ta krahasojë këtë raport me raportin për funksionimin e demokracisë dhe shtetit ligjor në Malin e Zi, do të gjejë se Shqipëria, krahasuar me Malin e Zi, është një diktaturë autoritare”, tha Berisha.
“Raporti vë gishtin në problemet më madhore të diktaturës autoritare në Shqipëri apo të autokracisë elektorale të Edi Ramës.
Unë përshëndes ata, mbi bazën e informacioneve të të cilëve është hartuar ky raport, por edhe ata që e kanë hartuar atë.
Shqiptarët duhet ta dinë se Komisioni Evropian i kërkon Shqipërisë 115 ndryshime për vitin e ardhshëm, disa prej të cilave janë të një karakteri më urgjent, siç janë reforma zgjedhore, rikthimi i kontrollit parlamentar mbi qeverinë dhe buxhetin, heqja e përjashtimeve nga prokurimet publike dhe ndalimi i dëmtimit të zonave të mbrojtura.
Të gjitha këto kanë autor dhe kryeautor Padrinon e Shqipërisë. Është ai që, me ndërhyrjet brutale në procesin zgjedhor, lejoi dhe organizoi vetë 4530 aktivitete për të ndikuar te zgjedhësit shqiptarë. Është ai që, që nga viti 2020 e deri më sot, ka marrë në duart e tij të zeza mbi 90 për qind të pushteteve në vend. Është ai që, për të mbetur në karrige, arrestoi në vitin elektoral liderët e partive kryesore opozitare, ndërsa liderin e partisë së tretë e vendosi në ndjekje penale. Është ai që, për të blerë votat, shpërndau në kulmin e fushatës elektorale 100 euro për çdo pensionist. Është ai, Edi Rama dhe askush tjetër, që për të mbajtur me çdo kusht mandatin, vetëm dy ditë para zgjedhjeve fali 2,1 miliardë lekë gjoba dhe kamatëvonesa. Është ai që ka organizuar ushtrinë e terroristëve politikë elektoralë. Është ai dhe askush tjetër që aktivizoi të gjitha kartelet e drogës dhe organizatat kriminale, me Gysnin e tij, për të futur në Parlament 28 deputetë të krimit”, shtoi kreu i Partisë Demokratike.
