Të shtunën do të mbahet mbledhja e radhës e grupit punues për hartimin e strategjisë gjithëpërfshirëse për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka bërë të ditur zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.

Konjufca, i cili drejton këtë grup, ka njoftuar se takimi i ardhshëm do të zgjasë disa orë dhe do t'i kushtohet shqyrtimit dhe sintetizimit të dokumenteve të siguruara nga institucione dhe instanca të ndryshme.


“Mbledhjen e ardhshme e kemi pasnesër. Kjo do të jetë një mbledhje më e gjatë, disa orëshe, që do të na marrë tërë ditën. Do të punojmë që të gjitha dokumentet që i kemi prej të gjitha këtyre instancave t'i sintetizojmë në mbledhjen e ardhshme”, deklaroi Konjufca.

Ai bëri të ditur se pas këtij procesi, grupi punues do të vazhdojë punën për hartimin e një strategjie të përbashkët, e cila do t'i përfshijë të gjitha institucionet e Kosovës dhe do t'i përcaktojë obligimet e tyre në zbatimin e saj.

Kryediplomati kosovar theksoi se puna e grupit do të zhvillohet në mënyrë konfidenciale, për shkak të ndjeshmërisë së çështjeve që trajtohen, si në aspektin vendor ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

“Qëllimi është me fitu rastin në procesin e apelit. Çështjet që diskutohen aty janë të ndjeshme, edhe në kuptimin vendor, edhe ndërkombëtar”, u shpreh ai.

Megjithatë, Konjufca tha se do të ketë komunikim me mediat, por informacionet për diskutimet dhe produktin përfundimtar do të bëhen publike vetëm deri në një masë të caktuar.

Sa i përket organizimit, ai bëri të ditur se grupi është konstituuar në mbledhjen e kaluar, ku janë përcaktuar edhe rregullat e funksionimit. Gjithashtu, është themeluar një grup punues që do t'i mbledhë në një dokument të vetëm idetë dhe propozimet e anëtarëve.

Sipas Konjufcës, në këtë grup janë të përfaqësuara Qeveria, përmes tij dhe ministrit Hoti, Presidenca, Kryesia e Kuvendit, katër grupet parlamentare, si dhe përfaqësuesi i grupit të komuniteteve joshumicë, me përjashtim të komunitetit serb.

Këto deklarata Konjufca i bëri në konferencën për media pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës, Ignazio Cassis.

Ndërkaq, i pyetur për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Cassis u tregua i rezervuar, duke deklaruar se Zvicra mbështet Dhomat e Specializuara dhe pranon vendimet e gjykatës, pa i komentuar ato. /Telegrafi/