Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, i ka dorëzuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, Raportin e Progresit për vitin 2026, gjatë një takimi të zhvilluar në Kryesinë e Kuvendit.
Dokumenti pasqyron ecurinë e reformave dhe përparimin e Shqipërisë në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, duke evidentuar arritjet e deritanishme, sfidat dhe fushat ku kërkohet angazhim i mëtejshëm institucional.
Sipas vlerësimeve të raportit, Shqipëria ka shënuar përparim në disa fusha të rëndësishme të integrimit europian. Ndër zhvillimet kryesore përmendet hapja e të gjashtë grupkapitujve të negociatave, që përfshijnë 33 kapituj, si dhe mbyllja e përkohshme e katër prej tyre.
Progres është evidentuar gjithashtu në reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, rritjen ekonomike dhe uljen e borxhit publik. Raporti ndalet edhe te zhvillimet në transformimin digjital, sektorin e energjisë, arsimin, shkencën dhe inovacionin.
Një tjetër element i vlerësuar është përputhshmëria e plotë e Shqipërisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian, si dhe mbështetja financiare e përfituar përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Pas marrjes së dokumentit, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, theksoi angazhimin e institucionit që drejton për të shqyrtuar me përgjegjësi rekomandimet dhe vlerësimet e Komisionit Europian.
Peleshi nënvizoi rëndësinë e vijimit të punës për përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet europiane, si dhe forcimin e rolit mbikëqyrës të Parlamentit në zbatimin e reformave.
Kuvendi pritet të luajë një rol të rëndësishëm në përmbushjen e prioriteteve të përcaktuara në raport, veçanërisht në miratimin e kuadrit ligjor dhe monitorimin e angazhimeve që burojnë nga procesi i negociatave.
Objektivi strategjik i Shqipërisë mbetet anëtarësimi në Bashkimin Europian, ndërsa synimi i institucioneve shqiptare është përmbyllja e negociatave deri në fund të vitit 2027.