Ministria e Financave ka planifikuar të mbledhë 907 miliardë lekë të ardhura në vitin 2027. Në këtë shumë efekti pozitiv nga paketa fiskale është rreth 4 miliardë lekë, ndërsa pjesa tjetër e rritjes pritet të vij nga rritja ekonomike prej 3.9 apo miradministrimi fiskal e ulja e informalitetit.
Të gjitha këto projeksione janë ndërtuar nën disa rreziqe që i kanosen ekonomisë së vendit, si në aspektin e të ardhurave ashtu edhe të shpenzimeve.
“A mund të më thoni risqet që kërcënojnë ekonominë dhe buxhetin për vitin 2027?”, pyet Erion Braçe.
“Rreziqet me të cilat ne përballemi më fortë, janë risqet gjeopolitike, klima dhe demografia. Për buxhetin një nga rreziqet është mos realizimi i investimeve, rritja e normave të interesit, kursi i këmbimit apo mosrealizimi i të ardhurave”, tha Malaj.
Reforma e pensioneve, indeksimi në prill 2.9%
Sa do të mbështeten pensionistët? Është pyetja më e shpeshtë dhe tema më e debatuar e buxhetit në komisione. Opozita kërkon rritje konkrete dhe jo bonsuse, ndërsa qeveria thotë se këto do të reflektohen tek reforma e re.
“A ka një analizë MF, cila është baza për të shpërndarë bonuset, dhe pse nuk e fusni tek pensionet bazë për ta bërë më të qëndrueshme skemën, për të kuptuar se ku po shkojmë?”, pyeti Bozdo.
“Ministria e Ekonomisë po punon për të rishikuar skemën, dhe për të parë më pas se si do të rritet masa e pensionit”, tha Malaj.
Nga janari do të dyfishohet vlera e bonusit mujor të pensionistëve, me kosto prej 20 miliardë leke.
Pensionet urbane të plota me vlerë deri 40 mijë lekë do të marrin 3600 lekë në muaj. Pensionet urbane të pjesshme me vlerë deri 22 mijë lekë do të marrin 1600 lekë, pensionet rurale me vlerë deri 18 mijë lekë në muaj përfitojnë bonus 2000 lekë, gjithashtu dyfish do marrin edhe pensionet familjare (1400) dhe ato të invaliditetit (1200 lekë).
Malaj theksoi se në raste emergjente në Bankën e Shqipërisë është fondi 130 milionë euro për pensionet, teksa zbulon sesa do të jetë indeksimi i ardhshëm që do të bëhet në prill.
“Indeksimi i pensioneve do të bëhet në prill, për të kompensuar rritjen e çmimeve, janë 4 miliardë lekë të caktuara në buxhet. Niveli i indeksimit që kemi parashikuar është 2.9% për vitin 2027, edhe inflacioni është brenda këtyre niveleve”, tha Malaj.
Kursi i këmbimit, Malaj: Nuk ndërhyjmë në treg!
Malaj theksoi se projektbuxheti prej 976 miliardë lekë në total, parashikon mbi 2 miliardë euro për investime, që do të nxitin më tej zhvillimin ekonomik. Por e kundërt është panorama sipas opozitës, e cila kërkon politika direkte për të ndihmuar sektorët që po goditen nga kursi i këmbimit.
“Keni ndonjë plan për ta ndihmuar këtë sektor në vështirsi, por edhe eksportin e bujqësisë. Fasonët kërkojnë një kompensim ndoshta 5% të rënies së kursit të këmbimit. Shiheni me përparësi, janë në prag falimentimi”, pyet deputeti i PD Igli Cara.
“Patjetër që industria e fasonit është e prekur nga kursi i këmbimit, por ne kemi kurs të lirë. Sektorë që përballen me këtë problem duhet të ndryshojnë modelin e biznesit, në asnjë rast qeveria nuk mund të ndërhyjë për të fiksuar kursin e këmbimit apo për të subvencionuar një sektor të caktuar”, përgjigjet Malaj.
Rindërtimi vijon, fatura mbi 1.1 mld euro
Sa i takon procesit të rindërtimit që po hyn në vitin e 7-të të tij, Ministri i Financave tha se është një proces i kryer tërësisht me fonde buxhetore që kanë kapërcyer vlerën e 1 miliardë eurove deri më tani, dhe pritet të shpenzohen edhe 150 milionë euro të tjera për ta përmbyllur këtë proces.








Komente
Komento