Stavro Pilo zhvilloi një paraqitje shumë të mirë në përballjen mes AEK-ut dhe Real Madridit, pavarësisht humbjes 2-3 të skuadrës greke. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare spikati jo vetëm për golin e shënuar, por edhe për kontributin e tij në të dyja fazat e lojës.
I aktivizuar në krahun e majtë të mbrojtjes, Pilo u shfaq energjik dhe kërkues, duke ndihmuar skuadrën në sulm me inkursionet e tij, ndërsa në prapavijë tregoi vendosmëri përballë yjeve të Real Madridit.
Momenti më i rëndësishëm për futbollistin shqiptar erdhi në minutën e 75-të, kur ai dërgoi topin në rrjetë dhe kaloi përkohësisht AEK-un në avantazh, 2-1. Megjithatë, gëzimi i vendasve zgjati vetëm tre minuta. Kylian Mbappe riktheu baraspeshën, ndërsa Federico Valverde shënoi më vonë golin që i dha fitoren 3-2 skuadrës madrilene.
Por, përtej paraqitjes në fushë, vëmendje ka marrë edhe një moment i kapur nga kamerat pas golit të Mbappe. Në pamjet që po qarkullojnë, Pilo shihet duke reaguar i acaruar dhe duke përdorur një shprehje fyese në gjuhën shqipe, drejtuar yllit francez.
Episodi është pasqyruar edhe nga mediat greke, të cilat e kanë shoqëruar videon me komente ironike, duke ngritur pyetjen nëse Mbappe ka motër.
