Partia Demokratike denoncon atë që e cilëson si presion të drejtuesve të universiteteve ndaj pedagogëve që kanë mbështetur protestën studentore. Në një deklaratë për mediat, drejtuesja e Departamentit të Arsimit në PD, Lili Sula, ka ngritur shqetësimin për rastin e Universitetit “Eqrem Çabej” në Gjirokastër, ku sipas saj, rektori dhe dekani kanë ushtruar presion ndaj një pedagogeje për të mos marrë pjesë në protestë. Sula pretendon se ndaj pedagoges me inicialet A.K. janë organizuar mbledhje kolektive, përmes të cilave i është kërkuar të mos mbështesë studentët. Ajo i ka cilësuar këto veprime si shkelje të të drejtave individuale, lirisë akademike dhe dinjitetit të pedagogut.
Deklarata e drejtueses së Departamentit të Arsimit në PD, Lili Sula:
Gjatë ditëve të protestës studentore, drejtues të universiteteve kanë ushtruar presion ndaj pedagogëve, duke u kërkuar të mos mbështesin studentët e tyre.
Rasti i Universitetit ‘Eqrem Çabej’ në Gjirokastër është shembull i qartë: rektori dhe dekani kanë ushtruar presion ndaj pedagoge A.K., për të mos dalë në protestë, duke organizuar mbledhje kolektive si në vitet e diktaturës, në shkelje të rëndë të të drejtave të individit, të lirisë akademike dhe të dinjitetit të pedagogut.
Rektori i Gjirokastrës u bë viral në media, për daljen e tij qesharake publike, ku deklaronte se nuk njihte sindikatën dhe bojkotin.
Është tërësisht e dënueshme që mendësia e viteve të diktaturës, e ushqyer edhe nga urdhra të dërguarish politikë në Gjirokastër, të përdoret për të diskriminuar apo të ndalojnë pedagogë për të mbështetur protestën.
Pjesëmarrja ne protestë është e drejtë kushtetuese dhe sindikale. Rektori dhe dekani nuk kanë asnjë të drejtë të ndalojnë pedagogët të jenë anëtarë të sindikatës së punonjësve të universiteteve të Shqipërisë dhe të ndalojnë pedagogët të solidarizohen me studentët dhe, aq më pak, të marrin masa ndëshkuese ndaj tyre. Marrja e masave pa transparencë, pa dokumentacion dhe pa informacionin e domosdoshëm është shkelje ligjore.
Çfarë lirie akademike, autonomie institucionale dhe status profesorati mund të pritet nga drejtues që demaskojnë ‘armikun e brendshëm’ në mbledhje kolektive, që kërcënojnë për heqjen e leksioneve të lëndës për të cilën ke punuar më shume së 10 vjet, që përdorin pagën si shantazh dhe ndëshkojnë pedagogët me ndërprerje rroge?!
Përkrahja e studentëve sot është detyrë që shkon përtej mësimdhënies në auditorë – është mision për pedagogët, që formojnë qytetarët e kombit, por edhe për çdo prind e qytetar që kërkon, që fëmijët të rriten, të edukohen e të jetojnë normalisht në këtë vend.
Partia Demokratike, duke dënuar me forcë këto qëndrime, që nuk i përkasin botës universitare, fton pedagogët, prindërit dhe qytetarët të bashkohen në mbështetje të protestës studentore të shtunën, në orën 12:00, përpara Kryeministrisë.