Partia Demokratike ka ngritur akuza ndaj rektorit dhe dekanit të universitetit ‘Eqrem Çabej’ në Gjirokastër, se i kanë bërë presion një pedagogeje për të mos marrë pjesë në protestë.
PD dënon qëndrimin duke u shprehur se marrja e masave pa transparencë, është shkelje ligjore. Sipas selisë blu, masat ndëshkimore kanë qenë heqja e leksioneve të lëndës dhe ndërprerja e pagës.
Ndër të tjera, thuhet se askush nuk ka të drejtë të ndalojë solidarizimin e studentëve dhe të diskriminojë. Në fund, përmbyllet me thirrjen që të gjithë të bashkohen në protestën e së shtunës, në orën 12:00 te Kryeministria.
Deklarata e plotë
Gjatë ditëve të protestës studentore, drejtues të universiteteve kanë ushtruar presion ndaj pedagogëve, duke u kërkuar të mos mbështesin studentët e tyre.
Rasti i Universitetit ‘Eqrem Çabej’ në Gjirokastër është shembull i qartë: rektori dhe dekani kanë ushtruar presion ndaj pedagoge A.K., për të mos dalë në protestë, duke organizuar mbledhje kolektive si në vitet e diktaturës, në shkelje të rëndë të të drejtave të individit, të lirisë akademike dhe të dinjitetit të pedagogut.
Rektori i Gjirokastrës u bë viral në media, për daljen e tij qesharake publike, ku deklaronte se nuk njihte sindikatën dhe bojkotin.
Është tërësisht e dënueshme që mendësia e viteve të diktaturës, e ushqyer edhe nga urdhra të dërguarish politikë në Gjirokastër, të përdoret për të diskriminuar apo të ndalojnë pedagogë për të mbështetur protestën.
Pjesëmarrja ne protestë është e drejtë kushtetuese dhe sindikale. Rektori dhe dekani nuk kanë asnjë të drejtë të ndalojnë pedagogët të jenë anëtarë të sindikatës së punonjësve të universiteteve të Shqipërisë dhe të ndalojnë pedagogët të solidarizohen me studentët dhe, aq më pak, të marrin masa ndëshkuese ndaj tyre. Marrja e masave pa transparencë, pa dokumentacion dhe pa informacionin e domosdoshëm është shkelje ligjore.
Çfarë lirie akademike, autonomie institucionale dhe status profesorati mund të pritet nga drejtues që demaskojnë ‘armikun e brendshëm’ në mbledhje kolektive, që kërcënojnë për heqjen e leksioneve të lëndës për të cilën ke punuar më shume së 10 vjet, që përdorin pagën si shantazh dhe ndëshkojnë pedagogët me ndërprerje rroge?!
Përkrahja e studentëve sot është detyrë që shkon përtej mësimdhënies në auditorë – është mision për pedagogët, që formojnë qytetarët e kombit, por edhe për çdo prind e qytetar që kërkon, që fëmijët të rriten, të edukohen e të jetojnë normalisht në këtë vend.
Partia Demokratike, duke dënuar me forcë këto qëndrime, që nuk i përkasin botës universitare, fton pedagogët, prindërit dhe qytetarët të bashkohen në mbështetje të protestës studentore të shtunën, në orën 12:00, përpara Kryeministrisë.







Komente
Komento