Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po shqyrton mundësinë e krijimit të një mekanizmi që do t’u mundësojë personave me aftësi të kufizuara të ushtrojnë të drejtën e votës nga banesa.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, bëri të ditur se në KQZ u zhvillua sot një takim me eksperten Bardhylka Kospiri, drejtuese e Fondacionit për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar (ADRF), Blerta Drenofcin, si dhe përfaqësues të Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë.
“Folëm për aksesueshmërinë në zgjedhje dhe u ndalëm te zgjedhësit me aftësi të kufizuara që për shkak të kufizimeve të rënda fizike nuk mund të dalin nga banesa për të votuar. Synimi ynë i përbashkët është që ata të votojnë që në zgjedhjet e 9 majit 2027, mundësisht përmes një projekti-pilot në disa bashki”, tha Celibashi.
Sipas tij, KQZ e mbështet plotësisht këtë nismë dhe do të punojmë me ADRF-në për ndryshimet ligjore që do t’i propozohen Kuvendit të Shqipërisë.
“Bashkëbiseduam me ADRF-së mbi: të dhëna statistikore për numrin dhe shpërndarjen e këtyre zgjedhësve; një analizë të kuadrit ligjor kombëtar dhe ndërkombëtar; mekanizma konkretë votimi, si bazë për propozimin që do t’i dërgohet Kuvendit”, theksoi Celibashi.
Ai nënvizoi se askush nuk duhet të mbetet jashtë procesit zgjedhor për shkak të barrierave fizike.