Në një klimë të tensionuar politike, ku prej javësh përballet me protesta dhe thirrje për dorëheqje, si dhe me akuzat e bëra nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, nga qelia e burgut, kryeministri Edi Rama pritet të mbledhë më 14 nëntor Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste.
Edhe pse rendi i ditës nuk është bërë ende publik, diskutimet pritet të përqendrohen te zhvillimet e fundit brenda kampit socialist dhe raportet mes Ramës dhe një prej figurave të tij më të afërta politike, Erion Veliaj.
Një tjetër çështje e rëndësishme që pritet të jetë në tryezën e diskutimeve lidhet me zgjedhjet e ardhshme vendore. Socialistët pritet të analizojnë organizimin e strukturave në terren, strategjinë politike dhe procesin e përzgjedhjes së kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme lokale.