Komunikimet e biznesmenit Ergys Agasi me dy shtetas izraelitë janë bërë pjesë e argumenteve të SPAK për të mbështetur dyshimet mbi rrezikun e arratisjes së ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni.
Sipas burimeve të Report TV, në këto biseda Agasi fliste për marrëdhënien e tij të afërt me Hysenin, duke e prezantuar atë si një person me të cilin kishte miqësi të ngushtë. Në një mesazh të datës 22 gusht, dërguar një shtetasi izraelit të regjistruar në telefon me emrin Shalev Israel, Agasi shkruante: “E kam shoqe të ngushtë shefen e shërbimit sekret.”
Një tjetër komunikim, i datës 6 gusht, është zhvilluar përmes aplikacionit Signal me shtetasin izraelit Srulik Einhorn Koces. Në këtë bisedë, Agasi pretendonte se drejtoresha e shërbimit sekret do të takohej me një person për t’i paraqitur prova lidhur me çështjen dhe për të vënë në dyshim motivet e prokurorit.
SPAK i ka konsideruar këto komunikime si elemente që mbështesin dyshimet për lidhjet dhe ndikimin që Agasi pretendonte se kishte në nivele të larta të institucioneve. Sipas burimeve, këto të dhëna janë përdorur edhe në argumentimin e nevojës për mbajtjen e Vlorës Hyseni në arrest në shtëpi, me qëllim shmangien e rrezikut të largimit të saj nga vendi.