Një debat i fortë mes ministrit të Kulturës, Blendi Gonxhja dhe deputetes së PD-së, Ina Zhupa, është zhvilluar në Komisionin për Kulturën, ku në qendër të diskutimit ishte bllokimi i rrugëve në Tiranë gjatë protestave. Gonxhja kundërshtoi pengimin e qarkullimit në akset kryesore të kryeqytetit nga grupe të vogla protestuesish, duke sugjeruar që tubimet të zhvendosen në sheshin “Skënderbej”, i cili sipas tij ofron hapësirën e nevojshme për të protestuar pa cenuar përditshmërinë e qytetarëve.
“Për një numër si ai që kemi parë ditët e fundit, do të doja të kujtoja që në Tiranë kemi një shesh kryesor që quhet sheshi ‘Skënderbej’, një shesh pedonal që mundëson tubime, festa, aktivitete, protesta dhe nxë një pafundësi njerëzish”, deklaroi ministri. Ai theksoi se protesta nuk duhet të kthehet në pengesë për pjesën tjetër të qytetarëve, duke shtuar: “Nuk mund të merret peng përditshmëria e gjithë qytetarëve të tjerë se 10-50 veta duan të bllokojnë akset kryesore të qytetit”.
Por propozimi i ministrit u kundërshtua nga deputetja demokrate Ina Zhupa, e cila argumentoi se protestat janë shprehje e revoltës qytetare dhe nuk mund të përcaktohen nga qeveria, as për sa i përket vendit dhe as kohës së zhvillimit. “Nuk është protesta festë me ftesa që të organizosh ti ditën dhe vendin. Ashtu bëj festat e PS-së. Kjo është revoltë qytetare”, iu përgjigj Zhupa, duke ironizuar më tej me sugjerimin e ministrit: “Jo po të shkojnë në Vorë te stadiumi i Kanye Westit”.
Deputetja e PD-së këmbënguli se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë pranë institucioneve të pushtetit dhe se bulevardi nuk mund të përjashtohet nga hapësirat e protestës. “Bulevardi është i qytetarëve shqiptarë dhe i takon protestës. Nuk ka nevojë të marrë leje. Në çdo vend të botës protestohet ku janë godinat e pushtetit”, u shpreh ajo. Përplasja mes tyre u zhvendos më pas edhe te protestat e viteve ’90, kur Gonxhja kujtoi angazhimin e tij në një periudhë kur, sipas tij, mungonin të drejtat themelore.
“Unë kam protestuar kur mungonin të drejtat themelore”, tha ministri. Kjo deklaratë solli reagimin e menjëhershëm të Zhupës, e cila e sfidoi duke e pyetur nëse edhe në atë kohë i ishte diktuar vendi ku duhej të protestonte. “Të kanë thënë atëherë shko protesto këtu a atje apo ke protestuar ku të ka dashur qejfi? Ke rrëzuar bustin”, iu drejtua ajo.
Gonxhja kundërshtoi krahasimin e situatës aktuale me atë të viteve ’90, duke argumentuar se rrethanat politike dhe shoqërore janë të ndryshme. “Krahasoni epokat e atyre protestave? ’90, ’94, ’96, ’98? A mund të flasim për të njëjtin kontekst sot? Ne kemi luftuar kur nuk ekzistonte vota. Sot votën e ke atje”, deklaroi ai. Në përfundim, ministri ngriti edhe çështjen e pjesëmarrjes së të rinjve në protestat e fundit, duke pretenduar se një pjesë e tyre nuk kanë votuar dhe nuk duan të votojnë.
