Studentët protestues kanë depozituar në Gjykatën Kushtetuese tre ankime kundër akteve të miratuara nga qeveria më 28 tetor, të cilat, sipas tyre, cenojnë të drejtën për protestë dhe lirinë e shprehjes.
Në një deklaratë për mediat, grupimet “Studentët n’Protestë” dhe “Revolucioni Studentor” bëjnë me dije se ankimet janë nënshkruar në bashkëpunim me katër organizata të shoqërisë civile: Qendrën Res Publica, Komitetin Shqiptar të Helsinkit, Shoqatën Ornitologjike të Shqipërisë dhe EcoAlbania.
Ankimi i parë kundërshton Aktin Normativ nr. 5/2026, i cili, sipas studentëve, i jep Policisë kompetenca për të ndaluar ose kufizuar protestat pranë institucioneve, për të larguar qytetarët nga zonat e mbrojtura, për të kërkuar fshirjen e postimeve në rrjetet sociale dhe për të vendosur gjoba deri në 500 mijë lekë.
Ankimi i dytë lidhet me Aktin Normativ nr. 6/2026, që parashikon përgjegjësi solidare të organizatorëve për dëmet e shkaktuara nga persona të tjerë gjatë protestave të tetorit. Studentët kundërshtojnë gjithashtu vendosjen e gjobave për sjellje të kryera përpara se këto sanksione të hynin në fuqi.
Ndërsa ankimi i tretë ka si objekt VKM-në nr. 815/2026, përmes së cilës krijohet një regjistër policor në prokurori. Sipas studentëve, ky mekanizëm mund të sjellë kufizime të lëvizjes jashtë vendit pa një vendim gjykate, njoftimin e shtetit ku udhëton personi dhe informimin e hoteleve nga policia.
Studentët i cilësojnë këto akte si përpjekje për të kufizuar hapësirën demokratike dhe për të frikësuar qytetarët që kundërshtojnë qeverinë.
“Këto akte synojnë të ngushtojnë hapësirën e fundit demokratike që na ka mbetur: të drejtën për të protestuar, për të kundërshtuar padrejtësinë dhe për të ngritur zërin”, thuhet në deklaratë.
Protestuesit i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese që ankimet të shqyrtohen me përparësi dhe të pezullohet zbatimi i dispozitave të kundërshtuara deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
Ata theksojnë se ankimet nuk humbasin objektin edhe në rast se aktet normative miratohen nga Kuvendi, pasi i kanë kërkuar Gjykatës të ushtrojë kontrollin kushtetues edhe mbi ligjet miratuese.
Në fund të deklaratës, studentët shprehen se nuk duan të jetojnë në një realitet ku kundërshtimi i pushtetit konsiderohet faj dhe pjesëmarrja në protesta bëhet arsye për t’u trajtuar si armik.
“Një brez i tërë të rinjsh po e nis jetën përballë një shteti që, në vend që t’u garantojë hapësirë për debat, kundërshtim e pjesëmarrje demokratike, u përgjigjet me dhunë e frikë”, përfundojnë studentët.a.b




