Humbja e thellë e republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA ka shtuar presionin ndaj presidentit Donald Trump, me figura të Partisë Republikane që i kërkojnë të ndryshojë kursin politik, të riorganizojë Shtëpinë e Bardhë dhe të rishikojë disa prej politikave që, sipas tyre, kontribuuan në rezultatin e dobët elektoral.
Fitorja e demokratëve, të cilët morën kontrollin e Kongresit, si dhe humbja e kandidatëve të mbështetur nga Trump në disa gara të rëndësishme, kanë nxitur shqetësime brenda kampit republikan, përcjell Reuters.
Strategë dhe aleatë të presidentit kërkojnë ndryshime në stafin e tij, më shumë disiplinë në administratë dhe rishikim të politikave si lufta me Iranin dhe tarifat tregtare.
Strategu veteran republikan John Feehery e cilësoi rezultatin si një “katastrofë të madhe” për Trumpin, duke kërkuar ndryshime të menjëhershme në Shtëpinë e Bardhë
. “Ai duhet të bëjë një pastrim. Çdo ditë që kalon nga ky moment, ai po bëhet gjithnjë e më shumë një president në fund të ndikimit të tij politik”, u shpreh Feehery.
Megjithatë, Trump nuk ka dhënë shenja se e konsideron rezultatin zgjedhor si arsye për të ndryshuar drejtimin e administratës.
Në një intervistë për Fox News, mbrëmjen e së martës, ai deklaroi: “Unë nuk e shoh këtë si një goditje ndaj meje”.
Kontrolli i Kongresit nga demokratët pritet t’i japë opozitës mundësinë të bllokojë nisma ligjore të presidentit, të nisë hetime ndaj administratës dhe të kundërshtojë emërimet e tij.
Përballë këtij realiteti, Trump mund të mbështetet edhe më shumë te kompetencat ekzekutive për të zbatuar axhendën e tij pa miratimin e Kongresit.
Brenda Shtëpisë së Bardhë, sipas një zyrtari të lartë që foli në kushte anonimiteti për Reuters, po përgatiten për largime të mundshme të anëtarëve të stafit, ndryshime në kabinet dhe hetime nga demokratët.
Zyrtari e përshkroi moralin brenda administratës si tepër të ulët, duke thënë se paralajmërimet për humbjen e të dyja dhomave të Kongresit kishin mbërritur që gjashtë javë përpara zgjedhjeve.
Sipas të njëjtit burim, Trump kishte refuzuar të ndryshonte qëndrimin për luftën me Iranin, pavarësisht paralajmërimeve për pasojat politike.
Presidenti pranoi se konflikti, që tashmë ka hyrë në muajin e tetë, kishte dëmtuar kandidatët republikanë, por mbrojti vendimin për nisjen e tij.
Shqetësimet brenda republikanëve lidhen edhe me përqendrimin e Trumpit te projektet e Shtëpisë së Bardhë, veçanërisht ndërtimi i sallës së re të ballove dhe punimet në godinat qeveritare.
Sipas një këshilltari politik republikan, sondazhet dhe grupet e diskutimit në shtete si Michigan dhe Iowa kishin treguar rritje të pakënaqësisë mes votuesve republikanë dhe të pavarur për këtë çështje.
“Nëse Trump kalon dy vitet e ardhshme duke folur për të njëjtat gjëra, do të pësojmë sërish një humbje dërrmuese në zgjedhjet e ardhshme”, paralajmëroi këshilltari.
Megjithatë, të mërkurën Trump vizitoi kantierin e ndërtimit të sallës së ballove në Shtëpinë e Bardhë dhe mbrojti kohën që i kushton projektit, duke deklaruar se për të kjo veprimtari është relaksuese.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë publikoi në rrjetet sociale një fotografi të presidentit me mesazhin: “Për dijeni: Trump është ende presidenti juaj”.
Pavarësisht humbjes elektorale, presidenti ruan kompetenca të konsiderueshme ekzekutive. Sipas Reuters, administrata ka përgatitur prej muajsh masa që lidhen me emigracionin, tarifat tregtare, strehimin dhe shpenzimet federale, për të vijuar zbatimin e një pjese të axhendës së saj edhe pa mbështetjen e Kongresit.
Megjithatë, këto kompetenca nuk mund ta mbrojnë administratën nga hetimet parlamentare që demokratët pritet të nisin pas marrjes së kontrollit të Kongresit. Kjo është një nga sfidat kryesore me të cilat do të përballet Trump në pjesën e mbetur të mandatit të tij.