Gjykata Kushtetuese ka miratuar më 2 nëntor 2026 një aneks të ri të rregullores, që përcakton mënyrën se si do të shqyrtohen çështjet e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Sipas vendimit, kërkesat do të kalojnë fillimisht në një kolegj me tre gjyqtarë, ndërsa çështjet që plotësojnë kriteret ligjore do të shqyrtohen në seancë plenare. Vendimmarrja do të bëhet me shumicën e votave të gjyqtarëve dhe abstenimi nuk do të lejohet.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me rolin e vëzhguesve ndërkombëtarë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), të cilëve u garantohet akses në dosjet gjyqësore, prova dhe dokumentacionin e çështjeve.
Ata do të kenë të drejtë të paraqesin gjetje dhe mendime me shkrim, të kërkojnë administrimin e provave dhe të jenë të pranishëm në të gjitha fazat e shqyrtimit, përfshirë edhe dhomën e këshillimit.
Vendimi u miratua me shumicë votash, ndërsa gjyqtarja Sonila Bejtja votoi kundër. Aneksi parashikon gjithashtu krijimin e regjistrave të posaçëm për administrimin e çështjeve të vetingut dhe ruajtjen e vlefshmërisë së veprimeve procedurale të kryera më parë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.
Por, vendimi ka ngritur pikëpyetje për vijimin dhe zgjerimin e rolit të ONM-së. Kjo pasi Komisioni Europian, në raportin e tij e konsideron të përfunduar procesin e rivlerësimit kalimtar për gjyqtarët dhe prokurorët.
Kritikat lidhen me faktin se pavarësisht përfundimit të vetingut, ONM-së jo vetëm që i vijon roli, por i zgjerohen edhe kompetencat, duke përfshirë aksesin në dosjet gjyqësore dhe praninë në dhomën e këshillimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkohë, është ngritur edhe shqetësimi për kostot e larta të mbajtjes së këtij misioni, si dhe për ndikimin që këto kompetenca mund të kenë në pavarësinë institucionale të Gjykatës.
© SYRI.net
VIDEO/ Shehaj: Kërkesa për interpretimin e procesit të vetingut është absurde, synon bllokimin e vendimeve të Strasburgut
PD Gjirokastër thirrje qytetarëve: Të shtunën të bashkohemi me protestën studentore në Tiranë
‘Progres-Raporti, problematika të ngritura nga opozita’, Shehaj: Me këtë raport s’ka më integrim…