Ekspertja Brisida Shehaj, komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të miratuar kërkesën që lidhet me interpretimin e dispozitave kushtetuese për përfundimin e procesit të vetingut.
Shehaj e cilësoi absurd vendimin, duke deklaruar se, synimi është të pengohet zbatimi i vendimeve të Gjykatës së Strasburgut për ish-gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga vetingu.
Shehaj shpjegoi se kërkesa është paraqitur nga një organizatë jofitimprurëse, e identifikuar si ‘Just AL’, e cila ka kërkuar interpretimin e një dispozite të Kushtetutës që përcakton përfundimin e procesit të vetingut.
Sipas saj, kërkesa synon të përfshijë në kategorinë e çështjeve të papërfunduara edhe vendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, duke kërkuar një interpretim të ri për mënyrën se si duhet të trajtohen ato nga institucionet e vetingut.
“Nuk e kam parë vendimin e Gjykatës, i cili është marrë me rezultatin 7 me 1. Me sa kam kuptuar, votimi 7 me 1 ka qenë për kalimin e çështjes në shqyrtim. Pra, për ta kaluar çështjen në shqyrtim.
‘Çfarë ka ndodhur? Është ngritur një OJF, ‘Just AL’, nëse nuk gaboj, e cila ka kërkuar interpretimin e një neni të caktuar të Kushtetutës që lidhet me procesin e vetingut. Kërkohet që Gjykata Kushtetuese të interpretojë dispozitën që parashikon se, me përfundimin e procesit të vetingut, Kuvendi vendos për mbylljen e tij.
Kjo dispozitë përcakton konkretisht edhe momentet kur procesi konsiderohet i përfunduar: kur KPA-ja paraqet një raport për çështjet e prapambetura ose kur i përfundon mandati dhe të gjithë anëtarët janë emëruar gjyqtarë.
Tani, këta njerëz duan të trajtojnë si çështje të papërfunduara edhe vendimet e Gjykatës së Strasburgut. Kërkojnë që Gjykata Kushtetuese të bëjë një interpretim dhe të krijohet një mekanizëm që të marrë atributet e institucioneve të vetingut për gjyqtarët që kanë fituar vendime në Strasburg. Kjo është absurde.
Sepse, siç duket, pas atij vrulli të jashtëzakonshëm të vendimeve të Strasburgut, që rrëzonin vendimet e çuditshme të gjykatave shqiptare, kanë dashur të krijojnë edhe këtë lloj bllokimi, duke i dhënë atributet…
Tani, mos harroni diçka. Qeveria shqiptare ka vepruar për zbatimin e vendimeve të Strasburgut, sepse kemi rastin e zonjës Sevdari.
Antoneta Sevdari, pra, është rikthyer në sistem. Kjo tregon se ekziston instrumenti për të bërë vlerësimin dhe zbatimin e vendimit të Gjykatës së Strasburgut. Tani kërkohet që ky proces të kryhet edhe një herë, të krijohet sërish një mekanizëm dhe t’i jepen përsëri kompetenca ONM-së, Gjykatës Kushtetuese…
Është proces i përfunduar. I përfunduar, pa asnjë diskutim. Edhe brenda sistemit gjyqësor shqiptar, gjykimi i këtyre çështjeve ka përfunduar. Pra, ato konsiderohen çështje të mbyllura.
Kush ka pasur ankime për të bërë në Shqipëri, i ka bërë ato. Në sistemin gjyqësor janë ezauruar të gjitha shkallët, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të shkosh në Strasburg.
Ajo që po bëhet është e thjeshtë: synohet të mos zbatohen këto vendime të gjykatave. Sepse dihet që shumica, ose të paktën 50% e atyre që u shkarkuan nga vetingu, janë njerëz që janë kundër shokut Ervin, Partisë, Rilindjes dhe gjithë asaj kapjeje që ai i ka bërë drejtësisë. Dhe duan t’i fusin në këto kalenda, për të krijuar edhe një instrument tjetër.
Është çmenduri, realisht, që edhe Gjykata Kushtetuese e ka pranuar këtë çështje për shqyrtim, por edhe më e çmendur është ajo që kërkohet.
Ne, sigurisht, u njoftuam sot për këtë çështje. Kam folur me disa ekspertë juristë për këtë temë. Për kuriozitetin tim, do të shoh edhe kush është kjo OJF-ja, nëse është vërtet OJF, dhe kush është ky instrumenti ‘Just AL’ që është përdorur për të bërë këtë gjë.”, tha Shehaj.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Syri