Një tjetër Cassano për ‘Axurrët’, kush është 17 vjeçari që po çmend Italinë! Thirret direkt në Kombëtare
Vetëm 17 vjeç, pa zhvilluar ende asnjë ndeshje zyrtare me ekipin e parë të Comos, por tashmë në vëmendjen e Roberto Mancinit. Riccardo Cassano është një nga emrat surprizë në listën e Kombëtares italiane për ndeshjet e Ligës së Kombeve ndaj Francës dhe Belgjikës.
Pavarësisht mbiemrit të njohur, talenti i ri nuk ka asnjë lidhje familjare me ish-futbollistin Antonio Cassano. Bëhet fjalë thjesht për një rast homonimie.
I lindur në vitin 2009, Riccardo luan në mesfushë dhe dallohet për teknikën, vizionin e lojës dhe saktësinë në pasime. Ai mund të aktivizohet si organizator përpara mbrojtjes, por edhe në rolin e mesfushorit qendror, duke i dhënë skuadrës ekuilibër dhe ritëm në ndërtimin e aksioneve.
Karrierën e ka zhvilluar tërësisht në akademinë e Comos, ku ka kaluar nëpër ekipet e moshave, nga U17 deri te U20. Sezonin e kaluar regjistroi 26 paraqitje dhe katër asistime, duke tërhequr vëmendjen edhe të trajnerit Cesc Fabregas.
Tekniku spanjoll ka vlerësuar cilësitë e mesfushorit të ri, duke e krahasuar mënyrën e lëvizjes dhe karakteristikat e tij me dy emra të mëdhenj të futbollit, Sergio Busquets dhe Andrea Pirlo.
Potenciali i Cassanos është vënë re edhe nga mediat ndërkombëtare. Gazeta prestigjioze “The Guardian” e ka përfshirë atë në listën e 60 talenteve më premtues të lindur në vitin 2009, të publikuar në kuadër të projektit “Next Generation 2026”. Në këtë përzgjedhje janë përfshirë edhe dy talente të tjerë italianë, Antonio Arena i Romës dhe Destiny Elimoghale i Juventusit.
Thirrja nga Mancini përbën një mundësi të rëndësishme për 17-vjeçarin, i cili do të ketë mundësinë të stërvitet me futbollistët më të mirë të Italisë dhe të vazhdojë zhvillimin e tij. Përveç ekipit A, ai do të vijojë të jetë pjesë edhe e përfaqësueseve U18 dhe U19.
Një emër që meriton vëmendje, pasi Riccardo Cassano shihet si një nga talentet që mund të ketë një të ardhme të rëndësishme në mesfushën e futbollit italian.




