Dy kompani në qytetin e Lecco-s, në Itali, janë vendosur nën sekuestro preventive në kuadër të një hetimi të gjerë të antimafias italiane ndaj një organizate kriminale, e dyshuar për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.
Operacioni, i koduar “Caveau 38”, është zhvilluar nga Drejtoria Antimafia e Milanos në bashkëpunim me autoritetet shqiptare. Sipas mediave italiane, organizata përbëhej kryesisht nga shtetas shqiptarë dhe ushtronte aktivitetin e saj në disa vende të Europës.
Hetimet kanë zbuluar një trafik ndërkombëtar të rreth 240 kilogramëve kokainë, ndërsa grupi dyshohet se kishte grumbulluar dhe transferuar drejt Shqipërisë më shumë se 14 milionë euro në para të gatshme.
Për të fshehur origjinën kriminale të parave, organizata dyshohet se i investonte ato në aktivitete të ligjshme dhe në blerjen e shufrave të arit. Bëhet fjalë për afro 8 kilogramë ar, të blerë në Itali përmes një kompanie që operonte në sektorin e përpunimit të metaleve të çmuara, me seli në Milano dhe Alessandria. Edhe kjo kompani është vendosur nën sekuestro.
Kompania tjetër në Lecco dyshohet se shërbente si një “kasafortë” e grupit kriminal, duke investuar paratë e përfituara nga aktiviteti i paligjshëm në sektorin e pasurive të paluajtshme. Për të dyja kompanitë është caktuar një administrator gjyqësor.
Në kuadër të hetimit janë 52 persona nën hetim, si dhe dy kompanitë, për veprimtari të dyshuara kriminale të kryera gjatë periudhës 2019–2022. Sipas autoriteteve italiane, organizimi i trafikut të drogës dhe lëvizja e parave realizoheshin edhe përmes sistemeve të komunikimit të enkriptuar.
Gjatë operacionit janë sekuestruar më shumë se 1.5 milionë euro cash, si dhe rreth 32 kilogramë lëndë narkotike, kokainë, heroinë dhe marijuanë.
Gjashtë persona janë arrestuar në flagrancë. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht aktivitetin e organizatës kriminale dhe rrjetin e saj financiar në vendet e përfshira.



