Është zhvilluar në ambientet e spitalit, në repartin e psikiatrisë, seanca për vleftësimin e ndalimit të Eduart Xhanit, 21-vjeçarit me origjinë shqiptare, i akuzuar për vrasjen e nënës së tij, Meleqe Lusha, 39 vjeçe, në banesën e tyre në Chiari, në provincën e Breshias.
I riu ndodhet i shtruar në spital, pasi iu nënshtrua vizitave nga specialistët në orët pas krimit. Ai u mor në pyetje nga gjyqtari i hetimeve paraprake në Gjykatën e Breshias, Mauro Ernesto Macca.
Përpara gjyqtarit, Xhani dyshohet se konfirmoi në thelb se kishte vrarë nënën e tij, ashtu siç kishte deklaruar edhe më herët për karabinierët, të martën në mbrëmje.
Megjithatë, ai shtoi se kishte tentuar t’i jepte fund jetës edhe para se të kryente krimin, por nuk kishte arritur.
Sipas mediave italiane, përgjigjet që 21-vjeçari ka dhënë lidhur me arsyet që e çuan të vriste nënën e tij dyshohet se kanë qenë të paqarta dhe të çorientuara. Kjo bëri të nevojshëm transferimin e tij në spital, pasi fillimisht ishte dërguar në burgun Canton Mombello.












