Drejtoria e Antimafias së Milanos (DDA), në bashkëpunim ngushtë me autoritetet shqiptare, ka ekzekutuar operacionin e koduar “Caveau 38”, i cili ka çuar në goditjen e një organizate kriminale të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë.
Grupi dyshohet se drejtonte një rrjet të gjerë të trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimit të parave mes Italisë, Holandës, Gjermanisë dhe Shqipërisë, duke gjeneruar fitime që kalojnë shifrën e 14 milionë eurove përgjatë periudhës 2019–2022.
Sipas hetimeve të bëra publike nga Guardia di Finanza, organizata kishte trafikuar rreth 240 kilogramë kokainë dhe përdorte skema të sofistikuara financiare për të futur të ardhurat e paligjshme në kanale zyrtare.
Paratë e siguruara nga shitja e lëndëve narkotike pastroheshin nëpërmjet blerjes së rreth 8 kilogramëve shufra ari në kompani të specializuara të metaleve të çmuara në Milano dhe Alessandria, si dhe përmes investimeve të konsiderueshme në pasuri të paluajtshme. Shufrat e arit më pas u dërguan në Shqipëri.
Hetimi, i udhëhequr nga prokurori i Milanos, Marcello Viola, ka zbuluar një organizatë kriminale – të përbërë kryesisht nga qytetarë shqiptarë – të aftë për të transportuar sasi të mëdha kokaine (afërsisht 240 kilogramë të konfirmuar) midis Holandës, Gjermanisë, Italisë dhe Shqipërisë.
Në kuadër të këtij aksioni, autoritetet italiane sekuestruan dy kompani me seli në Lecco dhe Milano, të cilat shërbenin si kasaforta financiare për fshehjen dhe investimin e fitimeve të grupit, duke vendosur mbi to administratorë gjyqësorë.
Prokurori i Milanos, Marcello Viola, tha: “Hetimi, i kryer nga një ekip i përbashkët hetimor me SPAK-un me seli në Tiranë, zyrën e prokurorit special shqiptar përgjegjës për krimin e organizuar dhe korrupsionin, identifikoi anëtarët e një organizate kriminale që trafikoi afërsisht 240 kilogramë kokainë dhe mblodhi e transferoi mbi 14 milionë euro në para të gatshme në Shqipëri”.
Gjithashtu, gjatë zhvillimit të hetimeve dhe operacionit janë vënë nën sekuestro mbi 1.5 milionë euro cash, rreth 32 kilogramë lëndë narkotike mes të cilave kokainë, heroinë e marihuanë, ndërsa gjashtë persona janë arrestuar në flagrancë dhe në total 52 individë janë marrë zyrtarisht në hetim.











