Një grup kriminal që dyshohet se shpërndante lëndë narkotike në afërsi të institucioneve arsimore në qarkun e Fierit është goditur nga Policia.
Në kuadër të operacionit të koduar “Clean School”, janë arrestuar katër persona, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Në pranga kanë rënë katër shtetasit K. B., 28 vjeç, D. F., 25 vjeç, M. Zh., 48 vjeç dhe T. Ç., 52 vjeç, të gjithë banues në Fier. Ndërkohë,është shpallur në kërkim shtetasi E. B., 38 vjeç, ndaj të cilit Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e personave të arrestuar, uniformat blu kanë sekuestruar 2.9 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar Cannabis Sativa, dy peshore elektronike dhe katër aparate celularë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa vijojnë kërkimet për arrestimin e personit të shpallur në kërkim.













