Wolff: Nëse Antonelli do të shkonte te Ferrari do ta kishin “parkuar” njësoj si Bearman

6 Nëntor 2026
9:23
Telesport
back button

Kimi Antonelli përfaqëson një triumf për programin e zhvillimit të talenteve të reja të Mercedes, i cili e zbuloi pilotin italian që kur ishte fëmijë në garat me karting dhe, përgjatë nëntë viteve, e udhëhoqi atë drejt majave të këtij sporti, deri në titullin kampion për pilotë në Formula 1.

Kjo është një meritë e mëtejshme për Toto Wolff, i cili i ka shtuar një tjetër arritje të madhe historikut të tij: Pas gjashtë titujve për pilotë të fituar me Lewis Hamilton dhe një titulli me Nico Rosberg.

Pas suksesit të Antonelli, është rikthyer në vëmendje diskutimi mbi faktin se pse ai nuk iu bashkua Ferrari në vitin 2017. Toto Wolff thumbon Ferrarin dhe Red Bull, duke theksuar guximin e treguar nga Mercedes duke i besuar Andrea Kimi Antonelli një vend si pilot në moshën vetëm 18-vjeçare, pa asnjë përvojë të mëparshme në F1.

“Askush te Mercedes nuk dyshoi kurrë te Antonelli, ne e mbështetëm gjithmonë, edhe kur rezultatet mungonin. Nëse do të kishte qenë te Ferrari apo Red Bull, do të kishte pasur dyshime”, deklaroi shefi i makinës gjermane.

“Ata nuk do ta kishin vendosur kurrë drejtpërdrejt në makinën më të mire. Përkundrazi, do ta kishin ‘parkuar’ në një ekip më të vogël, njësoj siç ndodhi me Bearman. Ne kishim një projekt për Kimi, një plan të qartë veprimi”, tha Wolff.

“Pas kësaj qëndron një rrugëtim nëntëvjeçar, që ka përfshirë si ekipin, ashtu edhe familjen e tij. Ai pati trajnerët më të mirë, mjetet më të mira dhe mundësi për të provuar makinat e Formula 1”, shtoi ai.

“E gjithë karriera e Kimi u financua nga ne, jemi të vetmit që e bëjmë një gjë të tillë. Nuk është se Ferrari apo dikush tjetër ‘e la t’u shpëtonte nga duart’, siç kam dëgjuar të thuhet”, deklaroi Wolff.

“Është thjesht rezultat i punës së palodhur dhe i një të riu të jashtëzakonshëm, i cili e shpërbleu besimin tonë përmes performancës së tij. Kjo nuk është fitorja ime personale; është një fitore për të gjithë sistemin,” përfundoi Wolff.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit