U mbanin pasaportat për të shlyer borxhet me punë. Policia greke godet rrjetin e kalimit të mbi 500 emigrantëve, 10 të arrestuar në Thesproti dhe Selanik. Policia greke njoftoi goditjen e një organizate kriminale të dyshuar për përfshirje në 41 raste të kalimit dhe transportimit të paligjshëm të mbi 500 emigrantëve. Gjatë operacioneve të njëkohshme në Thesproti dhe Selanik u arrestuan 10 persona, ndërsa përfitimet e paligjshme të rrjetit vlerësohen në të paktën 750 mijë euro.
Sipas komunikatës, operacioni u zhvillua në orët e para të 5 nëntorit 2026, pas hetimeve të Departamentit të Menaxhimit të Emigracionit të Drejtorisë së të Huajve të Selanikut. Në hetim bashkëpunoi Europol-i, ndërsa mbështetje dhanë strukturat policore të Igumenicës, njësia e dronëve të Selanikut dhe sektori i të huajve në Patra.
Mes të arrestuarve janë tre shtetas të huaj dhe shtatë shtetas grekë. Në dosje përfshihet edhe një bashkëpunëtor i dyshuar 26-vjeçar, i cili ndodhet tashmë në paraburgim në Greqi.
Sipas hetimeve, rrjeti vepronte të paktën prej qershorit të vitit 2025 dhe kishte një strukturë të përcaktuar, me drejtues e koordinatorë brenda dhe jashtë vendit. Ata dyshohet se grumbullonin emigrantë dhe organizonin kalimin e tyre përtej kufirit kundrejt pagesës.
Emigrantët udhëzoheshin të hynin në këmbë në Greqi përmes shtigjeve të vështira malore nga Shqipëria. Pas kalimit, emigrantët strehoheshin përkohësisht në banesa ose në tenda të improvizuara në zonat malore të Thesprotisë, deri në organizimin e transportit të mëtejshëm.
Në zonën kufitare vepronte një grup mbështetës, i cili siguronte strehim, ushqim, ujë, karta telefonike dhe lehtësonte transportin. Policia thotë se këto shërbime ofroheshin me çmime tepër të larta, me qëllim shfrytëzimin financiar të emigrantëve dhe rritjen e fitimeve të rrjetit.
Transportimi drejt brendësisë së Greqisë kryhej kryesisht me autobusë ndërqytetës, me destinacione kryesore Athinën dhe Patrën. Në raste të tjera, udhëtimi vijonte jashtë vendit. Sipas hetimit, emigrantët drejtoheshin edhe në zona ku kishte kërkesë të shtuar për punëtorë në bujqësi.
Një nga gjetjet e hetimit lidhet me mbajtjen e pasaportave. Sipas policisë greke, në shumë raste anëtarët e rrjetit ua mbanin dokumentet emigrantëve si garanci për shlyerjen e borxhit përmes punës së tyre. Në raste të tjera, pagesa për transportin kryhej paraprakisht.
Për koordinimin e veprimeve dhe shmangien e kontrolleve, të dyshuarit përdornin një rrjet të mbyllur komunikimi në aplikacione online, ku shkëmbenin informacione edhe për lëvizjet e policisë.
Gjatë operacionit dhe kontrolleve në tri banesa e një dyqan ushqimor, policia gjeti tri automjete private, shumë telefona dhe pajisje elektronike, 1.150 euro të lidhura me aktivitetin e organizatës, si dhe katër pasaporta të fshehura nga një anëtar i saj. Sipas komunikatës, njëri prej automjeteve përbën produkt të pastrimit të parave.
Gjithashtu, u arrestuan 21 shtetas të huaj që nuk dispononin dokumente për qëndrim të ligjshëm në Greqi. Pesë prej tyre u gjetën në banesën e një anëtari të dyshuar të rrjetit, i cili i strehonte ndërsa punonin në biznesin e tij pa përmbushur kërkesat ligjore.
Hetimi paraprak ka identifikuar edhe një 23-vjeçar, të dyshuar si drejtues i një organizate të dytë kriminale, ku dyshohet se merrnin pjesë katër prej të arrestuarve. Materialet për këtë veprimtari janë përfshirë në dosjen e çështjes.
Operacioni u zhvillua në kuadër të Planit Kombëtar Operacional dhe programit europian EMPACT 2.2 EAST MED kundër krimit të organizuar. Të arrestuarit do të paraqiten përpara autoritetit gjyqësor kompetent të Thesprotisë.