Analizë, kush mund të jetë pas kërcënimeve të rreme me bomba ndaj udhëtimeve ajrore evropiane?

6 Nëntor 2026 | 09:35

Të paktën 21 fluturime dhe disa aeroporte në vende të ndryshme të Evropës u përballën të enjten me kërcënime për vendosjen e bombave, duke shkaktuar shqetësim dhe masa të shtuara sigurie në transportin ajror.

Kërcënimet mbërritën në mënyrë të njëpasnjëshme, duke vënë në shënjestër linja të ndryshme ajrore dhe aeroporte. Në shumicën e rasteve, autoritetet i konsideruan ato mjaftueshëm serioze për të devijuar avionët drejt aeroporteve të tjera. Në Itali, situata shkoi deri në ngritjen e avionëve luftarakë për të shoqëruar një avion të dyshuar.

Pas verifikimeve, të gjitha kërcënimet rezultuan të rreme. Megjithatë, koordinimi dhe përmasat e këtyre incidenteve kanë ngritur pikëpyetje mbi autorët dhe motivet e tyre.

Sipas një analize të BBC, vëmendja është përqendruar te Rusia, në një kohë kur Evropa po përballet me një sërë incidentesh të dyshimta, përfshirë sulme kibernetike, shfaqje dronësh pranë objekteve strategjike dhe ndërhyrje në infrastrukturë të rëndësishme.

Gjatë muajve të fundit janë raportuar incidente të ndryshme, nga hakimi i pajisjeve frigoriferike në supermarkete dhe i sistemeve të një banke gjaku, deri te ngjarje të dyshimta në kufirin polako-rus. Gjithashtu, në gusht, një sulm me dronë në aeroportin Leipzig/Halle në Gjermani u pasua nga akuza publike të ministrit të Brendshëm gjerman ndaj Moskës.

BBC nënvizon se këto zhvillime kanë rikthyer në vëmendje mundësinë e një lufte hibride, përmes së cilës shtetet synojnë të dëmtojnë infrastrukturën dhe të krijojnë pasiguri në vendet kundërshtare, pa kaluar në një konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak.

Megjithatë, deri të enjten në mbrëmje thuhet se nuk kishte prova konkrete që të lidhnin kërcënimet ndaj fluturimeve me Rusinë, Iranin apo grupe të tjera të lidhura me ta.

Një nga pistat që po shqyrtohet lidhet me një email kërcënues të dërguar të enjten në mëngjes autoriteteve të aeroportit të Romës, i cili pretendohej se ishte nënshkruar nga grupi “Luftëtarët e Shtetit Mashkullor”.

Ky emër dyshohet se mund t’i referohet grupit rus ultra të djathtë “Muzhskoi Legion”, i njohur gjithashtu si “Male Legion”. Organizata u ndalua nga një gjykatë në Moskë në vitin 2021, për shkak të ideologjisë së saj ekstremiste, por vazhdoi të kishte një numër të konsiderueshëm ndjekësish në platformën Telegram dhe të shprehte mbështetje për pushtimin rus të Ukrainës.

Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar autenticitetin e emailit dhe as lidhjen e tij me grupin në fjalë. Nuk përjashtohet mundësia që emri të jetë përdorur nga persona të tjerë për të fshehur identitetin e vërtetë të autorëve.

Për momentin, mbetet e paqartë se kush qëndron pas valës së kërcënimeve dhe nëse bëhet fjalë për një operacion të koordinuar me prapavijë politike apo për veprime të pavarura. Hetimet pritet të përcaktojnë origjinën e mesazheve dhe motivet e personave përgjegjës.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Stuhia godet jugun e Francës, dy viktima në Korsikë pasi automjeti u rrëmbye nga përmbytjet

Dy persona humbën jetën kur automjeti i tyre u rrëmbye nga përmbytjet e shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm në ishullin francez të Korsikës, tha të...
09:24 | 06/11/2026

Arabia Saudite rrëzon dy raketa balistike të lëshuara nga Huthët drejt provincës Najran

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen tha se ka kapur dhe shkatërruar dy raketa balistike të lëshuara nga grupi Huthi drejt provincës Najran...
09:15 | 06/11/2026

Trump: Nëse do të kisha qenë në fletëvotim, do të kishim fituar me një diferencë të madhe votash

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se republikanët do të kishin arritur një fitore bindëse në zgjedhjet e mesit të mandatit nëse emri i tij...
09:13 | 06/11/2026