Ish-ministrja turke e Familjes dhe Politikave Sociale, Fatma Betul Sayan Kaya, është arrestuar në kuadër të një hetimi për dyshime mbi manipulimin e tregut të aksioneve dhe parregullsi në transaksionet financiare. Vendimi u mor nga një gjykatë në Stamboll, pas marrjes në pyetje të saj nga prokuroria.
Kaya akuzohet për shkelje të ligjit të tregjeve të kapitalit dhe për përfshirje në një organizatë kriminale. Hetimi lidhet me transaksionet e aksioneve të kompanisë detare Özata Denizcilik. Sipas dokumenteve të prokurorisë, ish-ministrja dyshohet se ka pasur informacione që mund të ndikonin në çmimin e aksioneve dhe vendimet e investitorëve.
Prokuroria pretendon se Kaya bleu aksione të kompanisë në prill 2026 dhe më 16 shtator ia transferoi ato kompanisë Tera Investment, vetëm një ditë përpara se të merrej vendimi për likuidimin e fondeve të investimeve që janë pjesë e hetimit. Dyshimet janë shtuar edhe për shkak të vlerës së investimit, kontakteve të saj me drejtues të grupit Tera dhe kohës kur u kryen transaksionet.
Ndërkohë, bashkëshorti i saj, İlyas Kaya, dhe ish-kreu i Bordit të Tregjeve të Kapitalit, İbrahim Ömer Gönül, u lanë të lirë, por nën masa sigurie, si detyrimi për paraqitje dhe ndalimi i daljes jashtë vendit. Fatma Betül Sayan Kaya drejtoi Ministrinë e Familjes dhe Politikave Sociale nga viti 2016 deri në vitin 2018. Hetimet vijojnë, ndërsa akuzat ndaj saj ende nuk janë vërtetuar me një vendim përfundimtar gjykate.












