Trajneri i Egnatias, Nevil Dede, ka analizuar humbjen 2-0 të skuadrës së tij ndaj Universitatea Craiova në Rumani, në sfidën e vlefshme për Conference League.
Në një prononcim për emisionin “Studio Europa” në RTSH, Dede pranoi se skuadra e tij vuajti intensitetin dhe agresivitetin e kundërshtarit, ndërsa theksoi se gabimet në pikat e forta të rumunëve ndikuan në rezultatin përfundimtar.
Tekniku i rrogozhinasve u ndal edhe te kartoni i dytë i verdhë i Bitrit, duke shprehur keqardhjen për nervozizmin e mbrojtësit.
“Vuajtëm intensitetin e ndeshjes, por edhe të kundërshtarit. Gabuam te pikat e forta, për të cilat kishim marrë masat. Më vjen keq për nervozizmin e Bitrit, ndoshta kartoni i dytë i verdhë ishte i padrejtë. E dinim që kishim përballë një kundërshtar shumë të fortë dhe agresiv. Mund të bënim më mirë në pjesën e parë, e cila praktikisht mbylli historinë e ndeshjes”, u shpreh Dede.
Trajneri i Egnatias evidentoi lojën nga krahët dhe krosimet si armët kryesore të Universitatea Craiova, ndërsa pranoi se mungesat e Grudës dhe Sotës ndikuan në performancën e skuadrës.
“Loja nga krahët dhe krosimet ishin pikat e tyre të forta. Duhet t’i japim merita edhe kundërshtarit. Pavarësisht gabimeve tona, na mungonin Gruda dhe Sota, gjë që sjell luhatje në performancë. Në përgjithësi dua ta shikoj në këndvështrimin pozitiv. Duhet të reagonim, nuk ishim 100% në lojën tonë dhe nuk arritëm të shfaqnim sa duhet futbollin tonë”, deklaroi ai.
Pavarësisht disfatës në transfertën rumune, Dede kërkon që skuadra të kthejë vëmendjen te sfidat e ardhshme dhe të gjejë zgjidhjet e duhura për të qenë më efikase përpara portës kundërshtare.
“Duhet të japim zgjidhje dhe të gjejmë formën e duhur për të marrë maksimumin në ndeshjet në shtëpi. Të shikojmë si do të bëhemi më efikasë dhe të shkojmë drejt golit. Është ndeshja e dytë në Europë që nuk shënojmë. Kundërshtarit duhet t’i japim dorën dhe të shikojmë përpara”, theksoi trajneri.
