Komisioni Europian kërkon nga Shqipëria që të sigurojë një mbikëqyrje më të qartë dhe më të fortë ndaj Bankës Shqiptare të Zhvillimit, institucion i ngritur nga qeveria me qëllim nxitjen e financimit sidomos për bizneset e vogla dhe të mesme. Në raportin vjetor të progresit, Komisionit thotë se ngritja e kësaj banke ngre shqetësime mbi mënyrën e funksionimit dhe mbikëqyrjen e saj. Pas miratimit përfundimtar të ligjit në parlament në mars të vitit 2025, thotë KE, Banka Shqiptare e Zhvillimit nisi përgatitjet për të nisur funksionimin përmes rekrutimit të stafit kryesor dhe adoptimit të statutit dhe rregullores së brendshme.