Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.“NA ISHTE NJËHERË”, KONCERTI RECITAL I ELSA LILËS NË TKOB

Këngëtarja e njohur Elsa Lila do të rikthehet në skenë me koncertin recital “Na ishte njëherë…” në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, mbrëmjen e nesërme, në 7 nëntor, në orën 19:00 .

2. “NËNA” ME AKTORET MARJETA LJARJA E YLLKA MUJON TE “METROPOL”

“Nëna”, vijon të ngjitet në skenën e teatrit “Metropol” edhe sonte, të shtunën dhe të dielën në orën 19:00. Shfaqja vjen si një udhëtim emocional, ku çdo fotografi fsheh një histori. Me regji të Milto Kutalit dhe autor Ruzhdi Pulahën, interpretojnë: Marjeta Ljarja; Yllka Mujo; Klea Konomi; Elia Zaharia; Xhino Musollari; Roerd Toçe; Joana Omeraj.

3. KONCERT/ SIMFONIA E ÇAJKOVSKIT NGA ORKESTRA E RTSH-SË

Orkestra Simfonike e RTSH-së nis ciklin e simfonive të Pyotr Ilyich Tchaikovsky me Simfoninë nr. 1 në sol minor, Op. 13, “Ëndrra dimërore”, një vepër e mbushur me lirizëm, ngjyra orkestrale dhe emocione të thella. Nën drejtimin e dirigjentit Facundo Agudin, koncerti do të mbahet sonte në orën 19:00 në sallën “Ferdinand Deda” të RTSH-së. Në të do të interpretohen edhe dy arie të kompozitorit Ëolfgang Amadeus Mozart: “Non mi dir, bell’idol mio”, nga opera “Don Giovanni”, dhe “Temerari… Come scoglio”, nga opera “Così fan tutte”, të interpretuara nga sopranoja Laurence Guillod.

4. “GREPI I ARTË”, KOMEDIA ME INTRIGA DHE SURPRIZA NË DURRËS

Komedia “Grepi i Artë” vjen në skenën e Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Durrës edhe sot, nesër dhe më 8 nëntor, në orën 19:00. Një histori ku dyshimet për tradhti, përgjimet, kamerat e fshehta dhe maskimet krijojnë një rrjet intrigash, humori dhe sekretesh. Në një lojë ku ambicia për pushtet dhe ruajtja e imazhit publik ndërthuren me jetën personale, askush nuk është aq i pafajshëm sa duket dhe çdo e vërtetë e zbuluar sjell një mister të ri.

5. “E ZONJA E BUJTINËS”, NË SKENËN E TEATRIT “PETRO MARKO” NË VLORË

Teatri “Petro Marko” në Vlorë sjell për publikun shfaqjen “E zonja e bujtinës”, e cila do të prezantohet sot dhe nesër, më 6 dhe 7 nëntor, në orën 19:00. Një tjetër mundësi për artdashësit vlonjatë për të ndjekur një produksion teatror dhe për të shijuar magjinë e skenës.

6. “1984”, VEPRA E GEORGE ORWELL NË TEATRIN KOMBËTAR EKSPERIMENTAL

Romani i njohur i George Orwell, “1984”, prej javësh tashmë është sjellë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, në Tiranë. Shfaqja, bashkëprodhim me Teatrin “Migjeni”, do të vijojë të prezantohet edhe sonte, nesër dhe të dielën, në orën 20:00. Me regji të Dino Mustafić dhe dramatizim të Jeton Nezirajt, produksioni trajton temat e kontrollit, pushtetit, propagandës dhe lirisë individuale, duke sjellë në skenë universin distopik të Orëellit. Në kastin e aktorëve janë Ema Andrea, Rafael Hoxhaj, Eva Gjika, Jozef Shiroka, Adriana Tolka dhe Nikolin Ferketa.

7. SHFAQJA/“NË SHTËPINË TONË”, NË TEATRIN “BYLIS” TË FIERIT

Komedia “Në shtëpinë tonë” do të vijojë të shfaqet edhe sot dhe nesër në orën 18:00, në Teatrin “Bylis” në Fier. Me një kast prej pesë aktorësh, ku bëjnë pjesë Luiza Xhuvani, Sokol Angjeli, Gentian Zenelaj, Indrit Cobani dhe Andia Xhunga, e cila është edhe regjisore e shfaqjes, produksioni premton të sjellë në skenë humor dhe situata argëtuese për publikun.

8. “ZONJA PLASTIKA” SHFAQJA E CIRKUT KOMBËTAR TE KUKULLAT

“Zonja Plastika” nga Cirku Kombëtar do të shfaqet nesër në orën 12:30 në Teatrin e Kukullave në Tiranë. Në këtë shfaqje ndërthuren mesazhet ndërgjegjësuese me artin e cirkut, duke sjellë numra cirku në ajër, xhonglim e  ekuilibër. Ndërkohë, gjatë fundjavës, të shtunën dhe të dielën paradite, fëmijët mund të ndjekin në Teatrin e Kukullave edhe shfaqjen “Smërfët dhe Gargamela” në oraret 10:30 dhe 11:30.

9. “DASHURI, PAQE, PARA”, KOMEDIA E LLESHIT NË QYTETIN E LEZHËS

“Dashuri, Paqe, Para”, komedia e Edison Lleshit që sjell humor në skenën e Lezhës sot dhe nesër në orën 18:00. Me regji nga Edison Lleshi, në qendër të veprës janë tre personazhe: Burri, Gruaja dhe Dashnori, të cilët përmes situatave komike dhe zhvillimeve të papritura sjellin në skenë një histori ku ndërthuren dashuria, paqja dhe paraja. Hyrja për të ndjekur shfaqjen është e lirë.