Bota

TRAGJEDIA që ka tronditur rrjetin/Partnerja me vajzën e vogël në krah pa futbollistin të rrëzohej në fushë, babai shpërtheu në lot para televizorit!

Detaje rrëqethëse dalin në dritë nga tragjedia që i mori jetën futbollistit spanjoll Jesus de Miguel, vetëm 30 vjeç. Ndërsa partnerja e tij, Maria, ndodhej në tribunat e stadiumit me vajzën e tyre vetëm një vjeç e disa muajshe, ajo u bë dëshmitare e drejtpërdrejtë e momentit kur sulmuesi i Tenerife-s u rrëzua në fushë pas përplasjes me portierin kundërshtar. De Miguel humbi jetën të martën në mëngjes, disa orë pas incidentit të ndodhur gjatë ndeshjes kundër Andorrës, në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll. Gjatë një daljeje nga zona e tij për të larguar topin, portieri Jesus Owono u përplas me sulmuesin, duke e goditur me gju në kraharor. Futbollisti pësoi arrest kardiak dhe mori ndihmën e parë në fushë, përpara se të transportohej me urgjencë në spital. Mjekët arritën fillimisht ta rikthenin në jetë, por gjendja e tij neurologjike u përkeqësua dhe ai ndërroi jetë disa orë më vonë.

Një nga dëshmitë më prekëse vjen nga Fernando Roman, mik i ngushtë i futbollistit, i cili tregoi se Maria kishte kaluar orë të tëra e vetme në spital, duke pritur lajme për gjendjen e partnerit të saj. Roman tha se kishte komunikuar me të gjatë gjithë pasdites dhe natës, duke u përpjekur t’i qëndronte pranë në këto momente të tmerrshme. “Kam folur me partneren e tij dhe mund ta imagjinoni situatën në të cilën ndodhet. Tani duhet të qëndrojmë pranë familjes. Dua t’u dërgoj dashurinë time njerëzve të tij, Marias dhe vajzës së tij, Karla, e cila është vetëm një vjeç e disa muajshe”, u shpreh ai.

Miku i futbollistit zbuloi gjithashtu se vetëm pak kohë më parë kishin diskutuar për të organizuar një udhëtim së bashku në Disneyland, me vajzat e tyre. “Ishte e pabesueshme. Po flisnim për udhëtimin në Disney me vajzat, edhe me vajzën time, dhe shikoni çfarë ndodhi”, tregoi Roman. Dhimbja ka qenë e madhe edhe për familjen e futbollistit. Babai i De Miguel po ndiqte ndeshjen në një lokal në qytetin e lindjes së të birit, Navahermosa, në provincën e Toledos. Një fqinj i familjes tregoi për televizionin spanjoll Antena 3 se ai e kuptoi menjëherë seriozitetin e situatës sapo pa përplasjen në ekran. “Babai i tij, sapo pa përplasjen, filloi të qante”, rrëfeu fqinji, duke shtuar se më pas familjarët u nisën drejt Tenerife-s për të qenë pranë tij. Ai e përshkroi 30-vjeçarin si një djalë shumë të dashur në vendlindje, ku njihej për karakterin e afrueshëm dhe entuziazmin për jetën.

 

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.