OpenAI: Nuk do ketë më marrëveshje me zyrtarët publikë për projektet e ardhshme të qendrave të të dhënave

6 Nëntor 2026 | 10:26

OpenAI, kompania që qëndron pas ChatGPT, ka njoftuar se nuk do të përdorë më marrëveshje konfidencialiteti (NDA) me zyrtarët publikë për projektet e ardhshme të qendrave të të dhënave, në një kohë kur në SHBA po shtohen shqetësimet për ndikimin mjedisor dhe ekonomik të infrastrukturës së inteligjencës artificiale.

Vendimi vjen pas rritjes së kundërshtimeve ndaj ndërtimit të qendrave të mëdha të të dhënave në disa shtete dhe komunitete lokale amerikane, ku shqetësimet kryesore lidhen me konsumin e energjisë elektrike, përdorimin e ujit dhe kostot shtesë për banorët.

Në një deklaratë zyrtare, OpenAI prezantoi një sërë angazhimesh të reja përmes të ashtuquajturës “Marrëveshja e Re Kombëtare e Komunitetit”, që synon të rrisë transparencën dhe të adresojë shqetësimet e komuniteteve ku ndërtohen këto objekte.

Sipas marrëveshjes, kompania zotohet të mbulojë plotësisht kostot e energjisë elektrike dhe infrastrukturës përkatëse për qendrat e ardhshme të të dhënave që zotëron dhe operon. Qëllimi është të shmanget transferimi i kostove shtesë te familjet dhe bizneset që ndodhen pranë këtyre objekteve.

Një tjetër angazhim lidhet me transparencën mjedisore. OpenAI deklaroi se do të publikojë të dhëna mbi konsumin e energjisë elektrike dhe ujit, do të hartojë plane për menaxhimin e burimeve ujore, si dhe do të bëjë publike planet e ndërtimit dhe vlerësimet për ndotjen akustike.

Kompania theksoi gjithashtu se nuk do të kërkojë më nga zyrtarët publikë nënshkrimin e marrëveshjeve të konfidencialitetit, duke përjashtuar vetëm rastet që lidhen me sigurinë, sekretet tregtare dhe informacionin e ndjeshëm komercial.

Paralelisht, OpenAI prezantoi edhe një plan politikash drejtuar ligjvënësve amerikanë, duke kërkuar vendosjen e rregullave më të qarta për zhvilluesit e qendrave të të dhënave.

Propozimet përfshijnë detyrimin për të publikuar ndikimin mjedisor të projekteve, mbulimin e plotë të kostove të infrastrukturës dhe përfshirjen e komuniteteve lokale në proceset e planifikimit dhe vendimmarrjes.

Me këto angazhime, OpenAI synon t’u përgjigjet kritikave në rritje ndaj zgjerimit të infrastrukturës së inteligjencës artificiale, duke vendosur në qendër transparencën, përgjegjësinë mjedisore dhe marrëdhëniet me komunitetet lokale.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kina lëshon me sukses në orbitë tre satelitë të rinj të teledeteksionit Yaogan-51

Kina ka lëshuar me sukses në orbitë tre satelitë të teledeteksionit të serisë Yaogan-51, tha Korporata Kineze e Shkencës dhe Teknologjisë Hapësinore (CASC). Sipas një...
10:20 | 06/11/2026

FBI: Koreja e Veriut përgjegjëse për vjedhjen e më shumë se gjashtë miliardë dollarëve nga Binance

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) njoftoi se hakerat nga Koreja e Veriut ishin pas vjedhjes së më shumë se gjashtë miliardë dollarëve në kriptovaluta nga...
10:04 | 06/11/2026

Aksident i rëndë në Francë! Autobusi shkollor del nga rruga dhe përplaset me një pemë, dyshohet për viktima

Një autobus shkollor është përfshirë në një aksident të rëndë rrugor mëngjesin e së premtes, në lindje të Francës. Autoritetet lokale dhe ministri i Arsimit,...
10:02 | 06/11/2026