“E shkatërroi Mbappén, as Messi nuk i ka bërë këto gjëra”; rrjetet sociale i përulen Pilos pas Real Madridit

6 Nëntor 2026
10:25
Alfred Lleshi
back button

Deri në minutën e 92-të, AEK-u kishte në duar një pikë të artë, por Valverde, me një goditje të fuqishme, shënoi për 2-3, duke ua shuar shpresat vendasve në atmosferën elektrizuese të “Nea Filadelfias”. Kjo humbje e la skuadrën greke me vetëm tri pikë pas katër ndeshjesh, duke vështirësuar edhe më shumë kualifikimin mes 24 ekipeve të para në Champions League.

Megjithatë, një nga protagonistët e AEK-ut ishte mbrojtësi i majtë Stavros Pilos. Pas golit kundër Manchester City, ai gjeti rrugën e rrjetës edhe ndaj Real Madridit. Në minutën e 75-të, pas një aksioni të bukur nga krahu i majtë, Pilios mori pasimin e duhur dhe me një goditje të ulët mposhti Courtois, duke rikthyer avantazhin e AEK-ut në 2-1.

Me këtë gol, 25-vjeçari hyri në një grup të vogël futbollistësh të AEK-ut që kanë shënuar dy gola në fazën e grupeve ose në “League Phase” të Champions-it. Para tij këtë e kishin arritur vetëm Sabevski, Julio Cesar, Centeno, Lakis dhe Klonaridis.

Pilos regjistroi edhe një arritje të veçantë: u bë futbollisti i parë i AEK-ut që shënon në dy ndeshje radhazi të kësaj faze të kompeticionit.

Paraqitja e tij u komentua gjerësisht në rrjetet sociale. “Pilo e shkatërroi Mbappé”, shkroi një tifoz. Një tjetër pranoi se mbrojtësi meriton një ndjesë nga ata që e kishin kritikuar: “Ka punuar, ka bërë përparim të dukshëm dhe meriton shumë komplimente”.

Disa tifozë parashikuan se paraqitjet e tij mund t’i hapin dyert e një kampionati të madh europian: “Mendoj se vitin tjetër Pilios do të luajë në një skuadër të madhe jashtë Greqisë”.

Një tjetër komentues shkroi me humor: “Pilos shënoi kundër City dhe Realit. Besoj se jemi të sigurt, nuk kemi pse kërkojmë mbrojtës të majtë për 10 vitet e ardhshme”.

Ndërsa një postim tjetër ironizonte: “Fjali që nuk do t’i thoshim kurrë në jetën tonë: 1.Brad Pitt në Menidi; 2.Pilos shënoi kundër Realit”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit