Pas triumfit të rëndësishëm në Gjeorgji, përfaqësuesja e Kosovës në futsall ka përpara një sfidë të vështirë ndaj Italisë. Ndeshja, pjesë e kualifikimeve për Kupën e Botës 2028, luhet në Prishtinë.
Fitorja dramatike 3-2 ndaj Gjeorgjisë, e arritur në udhëtim muajin e kaluar, i ka dhënë Kosovës mundësinë të tregojë se rezultati në Tbilisi nuk ishte i rastësishëm. “Dardanët” synojnë të dëshmojnë se janë të aftë të përballen edhe me kundërshtarët më të fortë.
Të lidhura
None found
Italia, dy herë kampione e Evropës dhe një nga kombëtaret më të njohura të futsallit në kontinent, zbarkon në Prishtinë për ndeshjen që zhvillohet sonte, të premten, në “Pallatin e Rinisë dhe Sportit”. Takimi nis në orën 20:00, ndërsa Kosova shpreson që përkrahja e tifozëve ta ndihmojë të arrijë një rezultat historik.
Kjo do të jetë paraqitja e dytë e Kosovës në Grupin 10 të raundit kryesor kualifikues për Botërorin 2028. Pas një ndeshjeje të luajtur, Kosova dhe Italia kanë nga tri pikë dhe kryesojnë grupin. Gjeorgjia, që ka pësuar dy humbje në po aq takime, ndodhet në fund të renditjes pa pikë.
Dy përballje që mund të përcaktojnë grupin
Takimi në Prishtinë shënon duelin e parë të dy ndeshjeve mes Kosovës dhe Italisë. Më 10 nëntor, “Dardanët” do të udhëtojnë në Itali për ndeshjen e kthimit, e cila mund të ndikojë ndjeshëm në garën për vendin e parë.
Kosova do ta mbyllë fushatën kualifikuese më 24 shkurt të vitit të ardhshëm, kur në Prishtinë do të përballet me Gjeorgjinë.
Synimi: kalimi në Elite Round
Sistemi i kualifikimit e rrit rëndësinë e garës për kreun e grupit. Në Elite Round kalojnë drejtpërdrejt fituesit e 12 grupeve, si dhe katër skuadrat më të mira që përfundojnë në vendin e dytë.
tetë përfaqësueset e tjera që renditen të dytat do të luajnë në ‘play-off’ për katër vendet e mbetura në raundin e fundit kualifikues.
Për Kosovën, sfida ndaj Italisë përbën një mundësi të rëndësishme për të përparuar dhe për të dëshmuar se fitorja në Gjeorgji ishte mesazh i qartë: “Dardanët” synojnë më shumë se thjesht pjesëmarrjen në këtë garë.







