Ish-ministrja turke e Familjes dhe Politikave Sociale, Fatma Betül Sayan Kaya, u arrestua sot në kuadër të hetimeve për skandalin financiar që shpërtheu në shtator, lidhur me dyshimet për manipulim të tregjeve të kapitalit dhe abuzime nga fondet e investimeve.
Gjykata ka vendosur masën e paraburgimit për ish-ministren, pasi u mor në pyetje nga prokurorët për transaksione të dyshimta me aksionet e kompanisë Ozata Denizcilik (OZATD). Ajo përballet me akuza për shkelje të legjislacionit të tregjeve të kapitalit dhe anëtarësi në një organizatë kriminale.
Hetimi nisi pas krizës së mesit të shtatorit, kur disa fonde investimi nuk arritën të përmbushnin kërkesat e klientëve për tërheqjen e parave. Për të kufizuar pasojat, Bordi i Tregjeve të Kapitalit (SPK) urdhëroi më 17 shtator likuidimin e 131 fondeve të investimit brenda gjashtë muajve.
Në këtë proces u përfshinë mbi 455 mijë investitorë, ndërsa vlera e përgjithshme e aseteve të tyre llogaritej në 936.3 miliardë lira turke, ose rreth 19.1 miliardë dollarë.
Fitime prej 2.1 miliardë lirash nga investimet
Në qendër të hetimeve janë edhe investimet e ish-ministres dhe bashkëshortit të saj, Ilyas Kaya. Sipas të dhënave të publikuara, çifti kishte investuar së bashku 163.1 milionë lira turke, rreth 3.3 milionë dollarë, por kishte tërhequr afërsisht 2.1 miliardë lira, duke realizuar një fitim të pretenduar prej rreth 1,188%.
Pas shpërthimit të skandalit, autoritetet ngrinë pasuritë dhe llogaritë bankare të çiftit. Më vonë, ata iu drejtuan mekanizmit të shlyerjes vullnetare të krijuar nga SPK, duke transferuar fitimet që tejkalonin kapitalin fillestar në një llogari nën administrimin e Fondit të Sigurimit të Depozitave (TMSF).
Në fund të shtatorit, pas publikimit të akuzave, Kaya dha dorëheqjen nga posti i nënkryetares së Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), si dhe nga funksionet e tjera partiake.
Prokuroria dyshon se ish-ministrja kishte blerë aksione të kompanisë Ozata Denizcilik në prill të vitit 2026 dhe i kishte shitur më 16 shtator, vetëm një ditë përpara vendimit për likuidimin e 131 fondeve të investimit.