Manchester United ka nisur kërkimet për një trajner të ri dhe një prej emrave që ka përfunduar në listën e drejtuesve të klubit anglez është Didier Deschamps. Ish-trajneri i kombëtares së Francës shihet si një kandidat i mundshëm për të marrë drejtimin e “Djajve të Kuq”, por për momentin nuk duket i gatshëm të rikthehet në pankinë.
Sipas raportimit të medias franceze “Foot Mercato”, drejtuesit e Manchester United kanë kontaktuar së fundmi Deschamps për të mësuar nëse ai do të ishte i interesuar të merrte përsipër drejtimin e skuadrës në “Old Trafford”.
Situata e klubit anglez mbetet e paqëndrueshme, ndërsa rezultatet zhgënjyese dhe presioni i tifozëve kanë shtuar pikëpyetjet mbi të ardhmen e Michael Carrick. Edhe pse United regjistroi një fitore spektakolare 3-2 ndaj Romës në Champions League, drejtuesit po shqyrtojnë alternativa të ndryshme për pankinën.
Në listën e kandidatëve përmenden edhe Julian Nagelsmann dhe Unai Emery. Ky i fundit, megjithatë, duket pranë rinovimit të kontratës me Aston Villan.
Deschamps, i cili drejtoi Francën për 14 vite, nuk e ka përjashtuar mundësinë e rikthimit në futbollin e klubeve, por dëshiron të marrë kohën e nevojshme përpara se të vendosë për të ardhmen.
Ai ka përvojë edhe në futbollin anglez, pasi ka qenë pjesë e Chelseat gjatë sezonit 1999-2000. Emri i tij është lidhur gjithashtu me Real Madridin, por klubi spanjoll zgjodhi në atë kohë Jose Mourinhon.
