Dogana e Kosovës ka zbuluar një sasi të konsiderueshme mallrash të padeklaruara gjatë kontrollit të një kamioni që po hynte nga Shqipëria, në pikën kufitare të Vërmicës.
Sipas njoftimit të Doganës, dyshimet u ngritën pasi gjatë verifikimit të automjetit u konstatuan mospërputhje mes peshës së deklaruar dhe asaj reale. Kjo bëri që zyrtarët të kryenin një kontroll më të imtësishëm të ngarkesës.
Gjatë kontrollit u gjetën 1 036 palë këpucë dhe 2 980 artikuj veshmbathjeje, të cilat nuk ishin përfshirë në dokumentacionin doganor.
Sipas autoriteteve, pothuajse të gjitha produktet mbanin marka tregtare të mbrojtura. Vlera e përgjithshme e mallrave përllogaritet në rreth 72 600 euro, pa përfshirë detyrimet doganore.
Për rastin janë ndërmarrë veprimet përkatëse, ndërsa procedurat administrative vijojnë. Çështja i është përcjellë edhe organeve kompetente për trajtim të mëtejshëm, në përputhje me legjislacionin në fuqi.