Aksidenti tragjik në Francë/ Dy viktima dhe 16 të plagosur, mes pasagjerëve 15 fëmijë

06/11/2026 10:59

Një fëmijë dhe një i ri kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor në lindje të Francës, ku një autobus doli nga rruga dhe u përplas me një pemë, sipas BBC.

Aksidenti ndodhi mëngjesin e së premtes, rreth orës 07:00, në qytetin Lent, rreth 55 kilometra larg kufirit me Zvicrën, ndërsa autobusi po udhëtonte nga Lioni drejt Bourg-en-Bresse.

Sipas Prokurorisë së Bourg-en-Bresse, në autobus ndodheshin 43 pasagjerë, mes tyre 15 fëmijë. Tre persona ndodhen në gjendje kritike, ndërsa 13 të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta.

Kryetari i bashkisë së Lent, Yves Cristin, deklaroi për mediat franceze se autobusi kishte dalë nga rruga dhe ishte përplasur me një pemë në një kanal anësor.

“Mbërrita pak minuta pas aksidentit dhe njerëzit ishin në gjendje shoku. Njëra anë e autobusit ishte shqyer dhe ishte e qartë se personat që ndodheshin në atë pjesë duhej të kishin pësuar lëndime të rënda”, deklaroi ai për televizionin BFM TV.

Pamjet e publikuara nga mediat franceze tregojnë autobusin bardheblu të anuar në një kanal pranë rrugës, me pjesën e përparme të dëmtuar rëndë.

Duke folur për kushtet atmosferike në momentin e aksidentit, kryebashkiaku tha për gazetën Le Figaro se kishte pak mjegull dhe rruga ishte e lagësht, por nuk kishte vështirësi të mëdha në qarkullim.

Ndërkohë, kreu i rajonit Auvergne-Rhône-Alpes, Fabrice Pannekoucke, deklaroi se në këtë fazë nuk mund të jepet ende një shpjegim për shkaqet e aksidentit.

Drejtuesi i autobusit është transportuar në spital për shkak të lëndimeve të marra dhe ende nuk është marrë në pyetje nga policia, bëri të ditur prokuroria.

Ministri francez i Arsimit, Édouard Geffray, konfirmoi më herët se në aksident ishin përfshirë nxënës.

“Është gjithmonë e vështirë kur fëmijët tanë bëhen viktima të aksidenteve të kësaj natyre”, deklaroi ai para gazetarëve.

Shërbimet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, ndërsa helikopterë mjekësorë u angazhuan për transportimin e personave të plagosur rëndë drejt një spitali të specializuar.

Ministri francez i Transportit, Philippe Tabarot, i cili u nis drejt zonës së aksidentit, njoftoi se në operacion ishin angazhuar edhe më shumë se 100 zjarrfikës.

Sipas kryebashkiakut, ndërtesa e bashkisë lokale u hap për të strehuar personat e prekur nga aksidenti dhe për të koordinuar punën me shërbimet e emergjencës.

Top Channel