Thomas Tuchel ka publikuar listën e Anglisë për dy ndeshjet e radhës në Nations League, ku surpriza më e madhe është grumbullimi i Jobe Bellingham. Mesfushori 21-vjeçar do të ketë mundësinë të luajë për herë të parë në ekipin e parë të “Tre Luanëve”, përkrah vëllait të tij më të madh, Jude Bellingham.
Jobe është shpërblyer për paraqitjet e mira me Borussia Dortmundin, ku aktivizohet prej 18 muajsh, pas transferimit nga Sunderland. Mesfushori ka qenë një lojtar i rëndësishëm për Anglinë U-21, me të cilën numëron 12 ndeshje, ndërsa tashmë fiton besimin e trajnerit Tuchel për një hap të rëndësishëm në karrierën e tij.
Në listën e publikuar nga tekniku gjerman është përfshirë edhe Josh King i Fulhamit, i cili merr ftesën e parë në kombëtaren A, pasi ishte pjesë e kampit përgatitor të Anglisë në Florida.
Nga ana tjetër, mungesat më të bujshme janë ato të Cole Palmer, Kobbie Mainoo dhe Phil Foden. Veçanërisht surprizuese është lënia jashtë e Palmerit, i cili ka regjistruar gjashtë kontribute në gola në Premier League dhe ka shënuar dy herë në Carabao Cup.
Tuchel kishte kritikuar më parë mungesat e shpeshta të yllit të Chelseat, ndërsa vendosi të mos e përfshijë as këtë herë në grup. Në skuadër vijon të jetë Trent Alexander-Arnold, ndërsa rikthimi i Ben Ëhite plotëson alternativat në repartin defensiv.
Anglia do të përballet me Kroacinë të enjten e ardhshme, përpara transfertës ndaj Spanjës të dielën. Vëmendja do të jetë veçanërisht te debutimi i mundshëm i Jobe Bellingham, i cili mund të ndajë për herë të parë të njëjtën fanellë me vëllain e tij në kombëtaren A.

