Ambasadori i ri i SHBA-së, Eric Wendt zbulon tre prioritetet për Shqipërinë
Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, ka prezantuar tre drejtimet kryesore që do të udhëheqin angazhimin diplomatik amerikan në Tiranë gjatë periudhës së ardhshme. Përmes një videomesazhi të publikuar nga Ambasada Amerikane, Wendt ka bërë të ditur se fokusi i tij do të jetë te forcimi i kapaciteteve mbrojtëse, zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik dhe rritja e sigurisë përmes luftës kundër krimit ndërkombëtar.
Në mesazhin e tij të parë drejtuar shqiptarëve, diplomati amerikan ka theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve do të orientohen drejt tri objektivave që, sipas tij, sjellin përfitime të ndërsjella për Shqipërinë dhe Shtetet e Bashkuara: forcim, prosperitet dhe siguri.
Wendt ka bërë të ditur se gjatë muajve të ardhshëm Ambasada Amerikane do të zhvillojë një vlerësim të përgjithshëm, i cili do të shërbejë për përcaktimin e drejtimit të bashkëpunimit në vijim. Në këtë kuadër, ai ka paralajmëruar vizita në qytete dhe zona të ndryshme të Shqipërisë, si dhe takime me përfaqësues të politikës, qeverisë, ushtrisë, biznesit dhe sistemit ligjor.
Ambasadori ka përmendur gjithashtu synimin për të zhvilluar biseda të drejtpërdrejta me qytetarë shqiptarë dhe amerikanë, me qëllim identifikimin e formave të reja të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Mbrojtja, tregtia dhe siguria, tre shtyllat e bashkëpunimit
Prioriteti i parë i renditur nga Wendt është forcimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe rritja e kontributit të përbashkët në kuadër të aleancës. Ai ka nënvizuar rëndësinë e ndërtimit të aftësive reale mbrojtëse dhe të përmbushjes së përgjegjësive që u takojnë vendeve aleate.
Fusha e dytë lidhet me zhvillimin ekonomik. Sipas ambasadorit, synimi është krijimi i mundësive të reja për zgjerimin e tregtisë, rritjen e investimeve dhe zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike, në mënyrë që përfitimet të ndahen mes bizneseve dhe qytetarëve të të dy vendeve.
Ndërsa prioriteti i tretë është siguria, me theks të veçantë te lufta kundër krimit ndërkombëtar dhe mbrojtja e interesave të përbashkëta. Kjo fushë do të jetë pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit mes institucioneve shqiptare dhe atyre amerikane.
Në videomesazhin e tij, Eric Wendt ka kujtuar edhe përvojën e mëparshme me Shqipërinë, duke përmendur shërbimin e tij ushtarak përkrah forcave speciale shqiptare dhe vizitat që ka zhvilluar më herët në vendin tonë.
Ai ka vlerësuar mikpritjen, punën dhe krenarinë e shqiptarëve, duke shprehur mirënjohjen për pritjen që i është rezervuar pas marrjes së detyrës së re. Wendt ka falënderuar gjithashtu Presidentin Donald Trump dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio për besimin e dhënë.
Në përfundim, ambasadori ka vënë theksin te historia e miqësisë dhe respektit të ndërsjellë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke shprehur bindjen se të dy vendet mund të arrijnë rezultate konkrete përmes bashkëpunimit.
Mesazhi i plotë i Eric Wendt:
Unë jam Eric Wendt, ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë. Ndërsa filloj punën si ambasador i SHBA-së në Shqipëri, dëshiroj t’i shpreh falënderimet e mia Presidentit Trump dhe Sekretarit Rubio për besimin e tyre.
Dhe dëshiroj gjithashtu të falënderoj popullin e Shqipërisë për pritjen tuaj të ngrohtë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjatë shërbimit tim të mëparshëm ushtarak së bashku me forcat speciale shqiptare, dhe në udhëtimet e mia të mëparshme nëpër Shqipëri, duke u takuar me shqiptarët e zakonshëm, kam përjetuar personalisht se shqiptarët janë një popull jashtëzakonisht mikpritës, të cilët janë gjithashtu punëtorë dhe krenarë. Gjatë muajve të ardhshëm, nën udhëheqjen time si ambasador, ambasada e Shteteve të Bashkuara do të kryejë një vlerësim që do të ndihmojë në formësimin e rrugës sonë përpara. Si pjesë e këtij vlerësimi, pres me padurim të udhëtoj në vende të ndryshme në Shqipëri.
Siç është praktikë standarde diplomatike, do të marr pjesë në takime të shumta me udhëheqësit e ndryshëm politikë që ju keni zgjedhur, si dhe me zyrtarët tuaj qeveritarë, udhëheqësit ushtarakë, udhëheqësit e biznesit, ligjorë dhe të tjerë. Gjithashtu, pres me padurim të takoj amerikanë dhe shqiptarë të zakonshëm. Së bashku do të diskutojmë si mënyrat e vjetra ashtu edhe mënyrat e reja krijuese se si mund të punojmë së bashku në mënyrë efektive në të ardhmen, duke u fokusuar në tre fusha kryesore me përfitim të ndërsjellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërinë.
E para është rritja e fuqisë sonë.
Ne rritemi më të fortë ndërsa ndërtojmë aftësi të vërteta mbrojtëse dhe bëjmë pjesën tonë të drejtë si aleatë.
E dyta është rritja e prosperitetit.
Do të gjejmë mënyra për të rritur tregtinë, investimet dhe mundësitë me përfitim të ndërsjellë për amerikanët dhe shqiptarët.
E treta është rritja e sigurisë. Do të punojmë së bashku kundër krimit ndërkombëtar dhe për të mbrojtur interesat tona të përbashkëta.
Ndërsa kryejmë këtë vlerësim gjatë muajve të ardhshëm dhe zhvillojmë këtë rrugë më të fortë, më të begatë dhe më të sigurt përpara, gjithashtu pres me padurim të mësoj më shumë rreth popullit të Shqipërisë.
Më shumë rreth historisë suaj krenare dhe të përjetoj sërish personalisht mikpritjen tuaj legjendare. Jam vërtet i nderuar dhe i bekuar që mund të shërbej në Shqipëri si Ambasador i Shteteve të Bashkuara. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria ndajnë një histori të fuqishme miqësie dhe respekti të ndërsjellë të thellë.
Së bashku mund të bëjmë gjëra të vërteta. Shkojmë së bashku!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



