Një valë kërcënimesh për bombë ka vënë në alarm disa aeroporte evropiane, duke detyruar devijimin e fluturimeve dhe kryerjen e kontrolleve të sigurisë ndaj disa avionëve.
Dy alarme për bombë janë raportuar mëngjesin e sotëm. I pari kishte të bënte me një avion të Ryanair, të nisur nga Roma, i cili u ul në Lisbonë rreth orës 08:00. Pas marrjes së kërcënimit, autoritetet portugeze aktivizuan një operacion sigurie dhe po verifikojnë besueshmërinë e informacionit.
Një tjetër alarm u raportua për një fluturim të Wizz Air nga Praga drejt Romës. Avioni u devijua drejt Venecias, ku policia nisi kontrollet përkatëse.
Sipas të dhënave të Eurocontrol, vetëm më 5 nëntor u raportuan kërcënime për 14 fluturime, ndërsa më 3 nëntor u regjistruan edhe shtatë raste të tjera. Në total, numri i kërcënimeve me bombë në hapësirën ajrore evropiane arrin në 21.
Ndërkohë, një avion i kompanisë Aer Lingus, i nisur nga Dublini drejt Romës, u detyrua të devijonte drejt një baze ushtarake në Normandi për shkak të një kërcënimi të ngjashëm. Pas kontrolleve, pasagjerët vijuan udhëtimin drejt destinacionit.
Megjithatë, sipas Eurocontrol, këto incidente prekën një pjesë shumë të vogël të trafikut ajror evropian dhe nuk patën ndikim në vonesat e përgjithshme në rrjet. Organizata po monitoron situatën në bashkëpunim me linjat ajrore, aeroportet dhe autoritetet përkatëse.
