Debat i ashpër është zhvilluar në Komisionin për Çështjet e Brendshme mes deputetit i partisë “Mundësia”, Erald Kapri dhe socialistit Bledi Çuçi, gjatë diskutimeve për fondet publike dhe kontratat me kompaninë shtetërore KAYO.
Kapri kërkoi sqarime se sa para publike i janë dhënë kompanisë, duke pretenduar se shuma nuk është 3 milionë euro, siç ishte deklaruar më herët, por 40 milionë euro. Ai pyeti gjithashtu se sa kontrata parashikohen me KAYO për vitin e ardhshëm.
“Ju pyetëm konkretisht, sa para publike i keni dhënë KAYO-s, nuk janë 3 milionë euro, por 40 milionë euro. Sa do t’i jepni vitin e ardhshëm?”, deklaroi Kapri.
Në përgjigje, Çuçi i hoqi mikrofonin dhe këmbënguli se nga buxheti i shtetit, në momentin e themelimit, KAYO kishte marrë vetëm 3 milionë euro, në zbatim të detyrimit ligjor të shtetit si aksioner. Ai sqaroi se Ministria e Mbrojtjes blen pajisje të ndryshme në treg për nevojat e saj, ndërsa në buxhetin e vitit 2027 nuk ka një zë të posaçëm për KAYO-n.
Debati tek Komisioni për Çështjet e Brendshme
Erald Kapri: Nuk e dinim që ishit edhe ithtar i komunizmit që të ardhka keq për fabrikat dikur, apo për akuzat që ka nisur SPAK të hetojë ju duken si skenar filmat. Ju pyetëm konkretisht, sa para publike i keni dhënë Kayos, nuk janë 3 mln euro, por 40 mln euro… Sa do t’i jepni vitin e ardhshëm?
Çuçi: Ta hoqa mikrofonin. Buxheti ka dhënë vetëm 3 mln. MM blen në treg pajisje të ndryshme që ka për nevoja e veta. Ai është buxhet i MM për të blerë pajisje që i nevojiten mbrojtjes. Kayo ka marrë 3 mln nga buxheti në themelim, nga detyrimi ligjor që kemi si aksioner. Në 2027 në buxhet nuk ka zë për Kayo. Ka për makineri, për blerje helikopterësh, avionësh. Mos ta zgjasim kot këtë debat kur është shumë e qartë.
Kapri: Sa keni parashikuar të bëni kontrata me Kayo vitin e ardhshëm? 20-30-50 mln euro për Kayo… Duke i cilësuar akuzat për trafik si antikombëtare, garancitë tuaja dhe të kryeministrit, kanë përfunuar që tek kreu i SHISH të dalë një grup i strukturuar kriminal. Garancitë tuaja sipas të cilës çdo dyshim, akuzë që hedh opozita ju duket antikombëtare, kur ne na ka rënë shteti këtu, nuk mund të talleni në këtë farë forme. Midis jush dhe Prokurorisë, besojmë Prokurorinë.
Çuçi: Besoje…
Kapri: Prokuroria thotë keni anashkaluar ligjin për të vjedhur. S’mund të jesh edhe patriot dhe hajdut…
Çuçi: Mos abuzo me të drejtën e fjalës. Akuzat janë të tepërta. Besohet drejtësia, jo prokuroria, jo thashethemi i kafes, por vendimi i formës së prerë. është prezumimi
i pafajësisë. Tërhiq mbrapsht fjalën hajdut ndaj kolegëve. Nëse ka abuzime me buxhetin e shtetit, ka ku vërtetohen dhe ku të merrem vendimet.
