Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar Buxhetin 2027, duke deklaruar se shqiptarët do të paguajnë më shumë taksa, ndërsa qeveria do të marrë më shumë borxh për të financuar kontratat PPP dhe koncesionet.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku deklaron se rritja e taksave nuk do të shoqërohet me përmirësim të shërbimeve publike në arsim, shëndetësi apo bujqësi.
“Çdo qytetar shqiptar do të paguajë vitin e ardhshëm më shumë taksa”, shprehet deputetja demokrate, duke paralajmëruar se rritja e taksimit të konsumit do të sjellë çmime më të larta dhe do të rëndojë më tej buxhetet familjare.
Sipas saj, ndërsa qytetarët do të paguajnë më shumë, buxhetet për arsimin, shëndetësinë dhe bujqësinë janë në rënie. Tabaku ngre gjithashtu shqetësimin për rritjen e kostos së borxhit publik, duke pretenduar se shpenzimet për të do të shtohen me 260 milionë euro në vitet në vijim.
Ajo akuzon qeverinë se po merr hua për të paguar kontratat PPP dhe koncesionet, të cilat i cilëson korruptive, në vend që t'i drejtojë paratë drejt shërbimeve për qytetarët. Sipas deputetes së PD-së, kjo politikë favorizon një pakicë që përfiton nga tenderat dhe koncesionet, ndërsa shumica e qytetarëve përballet me rritjen e kostos së jetesës.
“Nuk është kjo as qeveria e shumicës, as qeveria e integrimit”, deklaron Tabaku.











Komente
Komento