Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se shqiptarët kanë humbur 30% të kursimeve të tyre si pasojë e rënies së euros.
Në një deklaratë për mediat, Berisha e cilësoi narkoshtetin si një faktor me ndikim shkatërrues në ekonominë e vendit, duke akuzuar qeverinë dhe mediat pranë saj se shmangin trajtimin e kësaj problematike.
Ai tha se pasojat e narkoshtetit reflektohen drejtpërdrejt në ekonominë e qytetarëve, në kursimet e tyre dhe në aktivitetin e bizneseve.
“Të dashur qytetare dhe qytetarë, jam këtu për të folur përsëri e përsëri për një armik të egër që po gërryen në mënyrë të pamëshirshme ekonominë tuaj, xhepat tuaj, sigurinë tuaj. Për një armik të egër që është dhe plazma e regjimit diktatorial autoritar në Shqipëri. Dhe ky armik është narkoshteti, për të cilin numërohen me gishtërinjtë e dorës ata që flasin. Për të cilin mediat e qeverisë kanë moratorium për të mos e përmendur kurrë. Por, nga ana tjetër, përbën fuqinë e së keqes ndaj shqiptarëve.
Kam denoncuar me qindra mijëra herë dhe do të vazhdoj të denoncoj se aspektet më dramatike të narkoshtetit janë pikërisht mbi ekonominë e shqiptarëve, mbi xhepat e shqiptarëve, mbi bizneset e shqiptarëve. Atë që mediat në Shqipëri, në tërësi, e fshehin, atë që politikanët nuk guxojnë ta shqiptojnë, apo gazetarët, përveç ndonjë gazetari trim dhe guximtar, ai në fakt është faktori me fuqi të verbër shkatërruese mbi shqiptarët.
Çfarë pësuan kursimet? Kursimet në euro, nga viti 2020 deri në vitin 2025, janë zhvlerësuar me 236 miliardë lekë. Shqiptarët, të cilët me të drejtë e kanë konsideruar euron si një monedhë më të çmuar dhe më të qëndrueshme, kanë depozituar paratë e tyre në euro në banka dhe kanë pësuar një humbje të konsiderueshme prej 236 miliardë lekësh.
Imagjinoni, qindra mijëra shqiptarë kanë humbur rreth 30 për qind të kursimeve të tyre vetëm nga ndryshimi i kursit të këmbimit. Nuk po ndalem te depozitat e tjera, por jam marrë vetëm me depozitat e individëve”, tha Berisha.
