Kryeministri Edi Rama ka inspektuar sot punimet në kantierin e Bypass-it të Tiranës, i shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, dhe Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli.
Me një gjatësi prej 21 kilometrash, ky aks synon të krijojë një lidhje të drejtpërdrejtë mes autostradës Tiranë-Durrës dhe autostradës Tiranë-Elbasan, duke shmangur kalimin përmes kryeqytetit dhe duke mundësuar ndërlidhjen me akset e Korridorit Blu.
“Ajo që të gjithë duhet të mbajnë parasysh në këtë zonë është rritja e ndjeshme e vlerës së pronës së tyre. Ndërkohë, pa diskutim, çdo shpronësim do të bëhet siç duhet, me transparencë dhe në përputhje me ligjin. Ky do të jetë një aks që do ta çlirojë kryeqytetin nga një ngarkesë e tepërt, e cila vjen si pasojë e mungesës së këtij aksi, përmes të cilit të gjithë hyjnë në Tiranë.
Kështu, një pjesë e fluksit do të vazhdojë lirshëm drejt jugut ose juglindjes, në varësi të destinacionit, ndërsa pjesa tjetër do të ketë më shumë lehtësi për të hyrë dhe për të dalë nga kryeqyteti”, theksoi Kryeministri.