Skënder Hita në Lezhë: U parandaluan dy ngjarje të rënda kriminale
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar një vizitë në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, ku ka vlerësuar punën e efektivëve në parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe rezultatet e strukturave hetimore e operacionale. Gjatë takimit, ai bëri të ditur se puna policore dhe informacioni i mbledhur në kohë kanë ndihmuar në shmangien e dy ngjarjeve me pasoja potencialisht shumë të rënda.
Hita falënderoi punonjësit e Policisë për angazhimin dhe përkushtimin e treguar, duke vënë në dukje se ndërhyrjet e strukturave vendore kanë bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e personave që konsiderohen me rrezikshmëri të lartë. Sipas tij, këta persona dyshohet se kishin planifikuar të vepronin ndaj individëve të caktuar.
Gjatë fjalës së tij, kreu i Policisë së Shtetit u ndal edhe te ngjarja e ndodhur dy ditë më parë në Lezhë, ku u përdor lëndë eksplozive. Ai deklaroi se hetimet për këtë rast janë dokumentuar dhe po zhvillohen në drejtimin e duhur.
“Parandalimi i dy ngjarjeve shumë të rënda kriminale është rezultat i punës, përkushtimit, motivimit dhe vendosmërisë suaj. Keni arritur të identifikoni dhe të kapni persona me rrezikshmëri të lartë, të cilët dyshohet se do të vepronin ndaj personave konkretë. Edhe ngjarja e ndodhur dy ditë më parë, me lëndë eksplozive në qytetin tuaj, është dokumentuar dhe hetimet kanë ecur në drejtimin e duhur”, u shpreh Hita.
Ai theksoi se rezultatet e arritura duhet të shërbejnë për forcimin e besimit të qytetarëve te Policia dhe për rritjen e efektivitetit të shërbimeve në të gjithë qarkun.
Siguria në shkolla, një nga prioritetet e Policisë
Përveç goditjes së kriminalitetit, Hita kërkoi që strukturat e Policisë së Lezhës të shtojnë vëmendjen ndaj sigurisë në institucionet arsimore dhe zonat përreth tyre. Ai e cilësoi të domosdoshëm forcimin e kontrollit në perimetrin e shkollave, veçanërisht për të parandaluar shpërndarjen dhe shitjen e lëndëve narkotike pranë ambienteve ku zhvillohet procesi mësimor.
Sipas tij, rezultatet e deritanishme duhet të shoqërohen me angazhim edhe më të madh në këtë drejtim, duke kërkuar nga efektivët më shumë përgjegjësi dhe përkushtim në përmbushjen e detyrave.
“Siguria në shkolla dhe perimetri i sigurisë në këto institucione janë të pazëvendësueshme. Dua të përkushtoheni më shumë dhe të kërkoni më shumë nga vetja, në mënyrë që rastet e shitjes së lëndëve narkotike pranë shkollave të marrin goditjen e duhur edhe nga ana juaj”, deklaroi drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Në përfundim të takimit, Hita kërkoi forcimin e mëtejshëm të strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, duke u bërë thirrje punonjësve të vijojnë punën me profesionalizëm, vendosmëri dhe përgjegjshmëri për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Nga ana e tij, drejtori i DVP Lezhë, Drejtues i Parë Ermal Muçaj, falënderoi Hitën për mbështetjen e vazhdueshme me personel dhe mjete logjistike, ndërsa garantoi se strukturat vendore do të vijojnë angazhimin për realizimin e detyrave dhe përmbushjen e misionit të Policisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



