Ardit Gjebrea, një ndër promovuesit e "pyllit orbital" i cili lulëzoi më shumë beton dhe disa pemë tek tuk për show, është thirrur në SPAK për kontratat sponsorizuese me Bashkinë e Tiranës, ndërsa të dhënat e Thesarit tregojnë se shoqata “Jon Music” ka përfituar në gjashtë transaksione plot 29.970.878 lekë të reja, ose rreth 300 milionë lekë të vjetra. Pagesat lidhen me aktivitete dhe festivale, përfshirë “Kënga Magjike”.
Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit, të publikuara në platformën Open Spending Data, tregojnë se shoqata “Jon Music”, e lidhur me Ardit Gjebrean, ka përfituar pagesa nga Bashkia e Tiranës në gjashtë transaksione të evidentuara. Mes tyre janë 8 milionë lekë më 19 dhjetor 2022 për festivalin “Kënga Magjike 2022”, 6.289.998 lekë më 11 tetor 2021 për festivalin e vitit 2021 dhe 705.880 lekë më 3 dhjetor 2021. Ndërkohë, në vitin 2020 janë kryer dy pagesa prej 2.7 milionë dhe 4.3 milionë lekësh, ndërsa më 29 janar 2019 shoqata ka përfituar 7.975.000 lekë.
Në total, gjashtë transaksionet e evidentuara arrijnë në rreth 30 milionë lekë, të cilat tashmë janë pjesë e vëmendjes publike për shkak të verifikimeve të SPAK-ut mbi kontratat me Bashkinë e Tiranës. Çfarë shërbimesh janë paguar, si janë realizuar kontratat dhe çfarë rezultatesh konkrete kanë prodhuar projektet e promovuara? Këto janë pyetjet që kërkojnë përgjigje, jo fotografi të tjera me lopata në duar.