Bota

Kërcënoi se do të vriste Trump-in, arrestohet 18 vjeçari në Massachusetts!

Një 18-vjeçar nga Massachusetts është arrestuar pasi dyshohet se kishte kërcënuar me vrasje presidentin amerikan Donald Trump dhe kishte paralajmëruar një sulm të armatosur në shkollë. Gjatë kontrollit në banesën e tij, autoritetet sekuestruan armë dhe pajisje ushtarake.

Trenton Touch, 18 vjeç, banues në Tewksbury të Massachusetts, përballet me akuza federale pasi dyshohet se kishte publikuar në Instagram fotografi me armë dhe mesazhe kërcënuese ndaj Trump-it.

Është koha! Do ta vras Trump-in, ishte një nga mesazhet që i riu dyshohet se kishte dërguar më 21 qershor 2026, së bashku me fotografinë e një arme.

Sipas dokumenteve të akuzës, hetuesit zbuluan katër llogari në Instagram që dyshohet se administroheshin nga 18-vjeçari, ku publikoheshin materiale ekstremiste dhe kërcënime për dhunë.

FBI-ja dyshon se i riu ishte përkrahës i ideologjisë së supremacisë së bardhë dhe admirues i autorëve të masakrave masive. Në postimet e tij, dyshohet se i quante disa prej tyre “heronj”, duke përmendur edhe sulmin terrorist në Christchurch të Zelandës së Re, ku u vranë 51 persona.

Gjatë kontrollit në banesë, policia gjeti një armë zjarri të tipit revolver, veshje kamuflazhi, helmetë balistike, thika ushtarake dhe një sëpatë.

Operacioni për arrestimin e tij u zhvillua në orët e para të mëngjesit, duke alarmuar banorët e lagjes. Një dëshmitar tregoi se kishte parë rreth 12 automjete policie dhe se dëgjoi shpërthime gjatë ndërhyrjes.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.